Bashkia e Durrësit ka organizuar ceremoninë solemne me rastin e 14 Nëntorit, ditës së çlirimit të Durrësit nga pushtuesit nazifashistë në 1944. Në këtë ceremoni merrnin pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, kryetari i Qarkut Alfred Mullaraj, prefekti Roland Xhelilaj, deputetët socialistë të Durrësit, veteranë të luftës dhe të afërm të dëshmorëve që dhanë jetën për liri, etj. Në këtë 70 vjetor të çlirimit Bashkia e Durrësit kishte organizuar ceremoninë në mënyrë krejt të veçantë ku ishte përgatitur një program i larmishëm artistik me motive patriotike dhe të luftës partizane si dhe u ndanë tituj nderi për disa veteranë të luftës. Ceremonia e zhvilluar në Mauzoleumin e Dëshmorëve është çelur me ekzekutimin e himnit kombëtar. Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako u shpreh se sot, pas 70 vjetësh, ne jemi krenarë të përkujtojmë ditën historike të 14 nëntorit dhe të shprehim respektin dhe mirënjohjen për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë për të sakrifikuar deri dhe jetët e tyre për lirinë e vendit: “Në këtë 70-vjetor gjithë Shqipëria ka kremtuar fitoren antifashiste në qytete e krahina dhe një festim solemn do të bëhet më 29 nëntor. Eshtë kjo data që e bën Shqipërinë forcë aleate me Europën antifashiste. Eshtë kjo data që ka ndryshuar fatin dhe të ardhmen strategjike të shqiptarëve. Pa këtë fitore nuk do të mund të mendohej ndërhyrja e aleancës më të fuqishme politike dhe ushtarake, ndërhyrja e Natos, në mbrojtje të popullit shqiptar në Kosovë. Pa këtë fitore nuk do të mund të imagjinohej progresi i Shqipërisë në rrugën europiane. Pa këtë fitore nuk do të mund të përfytyrohej klima gjithnjë e më në ndryshim pozitiv me fqinjët dhe më gjerësisht në Ballkan. Më lejoni të shpreh para së gjithash mirënjohjen e thellë të popullit të Durrësit për kontributin dhe vetëmohimin e gjithë heronjve dhe dëshmorëve që në emër të lirisë nuk kursyen asgjë për të arritur ditën e madhe dhe të lavdishme të 14 Nëntorit, ditën e çlirimit të Durrësit nga pushtuesit nazifashistë. Kjo ditë teksa na fton të gjithëve si qytetarë të shprehim këtë respekt e mirënjohje, njëherësh na obligon si brez t’i trashëgojmë më së miri vlerat patriotike, shoqërore dhe historike të asaj epoke të lavdishme dhe njëkohësisht neve, që drejtojme sot këtë qytet, na vë përpara përgjegjësive të shumta, ndër më kryesoret është ajo që ka të bëjë me përmbushjen e ëndrrës së të rënëve; ëndrrës për një Shqipëri të lirë dhe europiane.” Në këtë aktivitet e ka marrë fjalën prefekti i Durrësit Roland Xhelilaj i cili deklaroi se ne u përulemi me mirënjohje të gjithë atyre djemve dhe vajzave durrsake që e lidhën fatin e tyre me fatin e fitores antifashiste dhe as vrasjet apo masakrimet, as burgosjet apo internimet, nuk e gjymtuan dot shpirtin liridashës të popullit të këtij qyteti, që u kthye në simbol të qendresës dhe luftës ndaj nazifashizmit. Më pas ju dorëzuan titujt Mirënjohje e Qytetit që Bashkia e Durrësit ka akroduar për dy veteranë të nderuar si Xhemal Kacani dhe Muharrem Kokomani. Xhemal Kacanit i cili është edhe kryetar i organizatës së veteranëve të LANÇ-it Durrës ju dha titulli Mirënjohje e Qytetit më motivacionin "Për merita të mëdha si një ndër protagonistët e epopesë së lavdishme të Luftës Nacionalçlirimtare dhe më pas si personalitet i spikatur e ndër më aktivët e Organizatës së Veteranëve të Luftës". Ndërsa Muharrem Kokomanit i cili ka qenë komandant i brigadës së XXIII ju dha titulli Mirënjohje e Qytetit (pas vdekjes) me motivacionin “Veprimtar dhe pjesëmarrës në Luftën për çlirimin e atdheut nga okupatori nazifashist, njeri i përkushtimit të jashtëzakonshëm për të përmbushur gjithnjë me autoritet, korrektesë dhe ndershmëri në çdo detyrë.” Në këtë ceremoni janë nderuar edhe veteranë të tjerë me tituj mirënjohjeje nga organizata e veteranëve të LANÇ-it për konttributin e tyre patriotik. Më pas aktiviteti ka vijuar me një koncert të pasur me këngë me motive partizane e poezi patriotike.