Me rastin e 8 dhjetorit kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka zhvilluar një takim me të rinjtë durrsakë pjesëtarë të Grupit Rinor Durrës (DYM) aktiv pranë Qendrës së Zhvillimit të Shoqërisë Civile. Ky event u realizua në ditën e Rinisë, 8 Dhjetor, si simbolikë e lëvizjeve rinore për ndryshim. 

 

Aktiviteti u realizua në kuadër të projektit “Të rrugëtojmë së bashku drejt proçeseve vendim-marrëse” të CSDC Durrës, kordinuar  nga Qendra Ndërkombëtare Olof Palme dhe financuar nga  Qeveria Suedeze. Grupimi Rinor Durrës ka  për qëllim Monitorimin e performancës së Këshillit Bashkiak; Organizimin e fushatave të informimit, edukimit dhe komunikimit për çështje si: vullnetarizmi, të drejtat e njeriut, antikorrupsioni, demokracia etj; Fushata advokuese për adresimin e çështjeve rinore në nivel lokal. 

 

Në këtë takim me të rinjtë kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka diskutuar për shumë probleme që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me të rinjtë siç ishin ngritja e një qendre rinore, krijimi i një zëri më vete për të rinjtë në buxhetin e ardhshëm të Bashkisë (Mbështetje financiare për aktivitete promovuese në shërbim të komunitetit dhe çështjeve rinore), ngritja e Info Point për turizmin në 3 pika strategjike të qytetit të Durrësit në funksion të punësimit rinor dhe ngritjes së kapaciteteve rinore në fushën e turizmit (intershipe rinore), përfshirjen e grupeve rinore në aksione ambientaliste me ndikim për gjithë shoqërinë etj. 

 

Kryebashkiaku Dako ka diskutuar me të rinjtë edhe në lidhje me ngjarjet e dhjetorit të vitit 1990 kur nisën protestat studentore kundër regjimit komunist duke theksuar se ishte pikërisht Lëvizja e Dhjetorit në Shqipëri që i dha jetë ëndrrës së shqiptarëve për të jetuar në liri e demokraci. Në fund të takimit kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako nënshkroi edhe marrëveshjen e Bashkëpunimit për krijimin e  Komisionit Këshillimor Rinor.