Me rastin e 8 dhjetorit Ditës së Rinisë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka zhvilluar homazhe dhe vendosur një tufë me lule në monumentin e këngëtarit të famshëm britanik John Lennon. Në këtë ceremoni të veçantë përkujtimore merrnin pjesë edhe një grup të rinjsh të qytetit të Durrësit ku në një atmosferë të veçantë një i ri me kitarrë ka luajtur disa melodi të hiteve më të famshëm të këngëtarit britanik.

Kryebashkiaku Vangjush Dako pas homazheve për nder të figurës së solistit të grupit të mrënjohur Beatles tha se kjo ditë ka si pikënisje pikërisht 8 dhjetorin e vitit 1990, ditë kur në Akademine e Arteve një grup studentësh u mblodhën dhe përkujtuan 10 vjetorin e vrasjes së John Lennon nga ku filloi lëvizja studentore kundër regjimit:

“Kjo ditë është një ditë përkujtimore për John Lennon por kjo përkujtimore lidhet edhe me atë që ne festojmë sot e që është dita e rinisë sepse pikënisja e revoltës studentore nisi atë ditë të 8 dhjetorit 1990 kur një grup intelektualësh e studentësh përkujtuan 10 vjetorin e vdekjes së John Lennon dhe nga aty nisi revolta e madhe studentore e qytetare kundër regjimit.”

Monumenti i John Lennon në Durrës është kthyer në një vend pelegrinazhi, pasi shumë të rinj e të reja të Durrësit por edhe turistë ndalen tek stoli ku gjendet monumenti duke bërë një foto me të. Monumenti në fjalë është krijuar nga skulptori durrsak Qazim Kërtusha.