Bashkia e Durrësit ka prezantuar për diskutim me komunitetin dhe grupet e interesit projekt buxhetin e vitit 2015 që pas kësaj faze do të kalojë për miratim në këshillin bashkiak të qytetit. Bashkia e Durresit për vitin 2015 paraqitet me një program të zhvillimit të saj ekonomik ku janë hartuar dhe përcaktuar programe sektoriale dhe prioritare të mbështetura në kostot reale. Në të përcaktohen qartë objektivat për çdo sektor si dhe raporti produkt/rezultat. Për realizimin e këtij buxheti janë organizuar takime me komunitetin të shtrira në të gjithë qytetin, në kuadër të praktikave të buxhetimit me pjesëmarrje të cilat janë praktika të konsoliduara në Bashkinë e Durrësit dhe në vijim të përqasjes qytetare dhe të nevojave të tyre në buxhet. Këndvështrimi qytetar i shprehur në formën e opinioneve apo perceptimeve për vitin 2015 apo nëpërmjet të gjithë formave apo mekanizmave të tjerë të thithjes së këtij mendimi orientuan në hartimin e këtij projekt buxheti për vitin 2015, profili i të cilit jepet si më poshtë:
- Vazhdimin e përmirësimit të ndjeshëm të infrastrukturës rrugore
- Vijimin e investimeve për shtimin sasior dhe cilësor të hapësirave të gjelbërta , si dhe përmirësimin e shërbimeve të tjera publike , që ndikojnë pozitivisht për një rritje cilësore të jetës në qytet.
- Perdorim të mjeteve alternative të financimit me kredi për projektet e Banesave Sociale me qera.
- Bashkefinancimin në projekte në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar të programit të paraaderimit në BE .
- Prezantimi i buxhetit me programe sektoriale dhe prioritare të mbështetura në kostot reale, ku përcaktohen qartë objektivat për çdo sektor si dhe raporti produkt/rezultat.
Per vitin 2015 renditen si më prioritare këta sektore:
- Infrastruktura rrugore
- Rivitalizimi i hapësirave dhe rikualifikimet urbane
- Strehimi social
Plani i Shpenzimeve Kapitale për vitin 2015 i shton Qytetit të Durresit 458 milion lekë investime në rikonstruksione rrugesh e hapesira publike, 94 milion lekë investime për rikualifikime urbane, 12.5 milion lekë investime në arsim e sport, 100 milion lekë në ndërtimin e banesave sociale, pra rreth 691 milion lekë investime gjithsej. Ky projektbuxhet është pasqyrë e një vendimmarrjeje të përbashkët me komunitetin, shprehje besnike e nevojave dhe pritshmërisë së qytetarëve durrsakë. Buxheti i Bashkisë Durrës për vitin 2015 është një buxhet i balancuar ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve i programuar në vlerën 1.712.801.000 lekë.