Këshilli bashkiak i Durrësit miratoi me 26 vota pro buxhetin e vitit 2015. Në këtë mënyrë bashkia e Durrësit e kalon në këshillin bashkiak që në fillim të vitit buxhetin, duke i hapur rrugë vazhdimit me intensitet të lartë të investimeve që kanë nisur në të gjithë Durrësin në dobi të qytetarëve. Votimi i buxhetit u bë pa praninë e këshilltarëve të partisë demokratike, të cilët braktisën mbledhjen pak para hedhjes në votim të tij. Kreu i këshilltarëve të PD Zamir Ramadani kërkoi që mbledhja të shtyhej, por kryetari i bashkisë Vangjush Dako u shpreh se nuk ka asnjë arsye që miratimi i buxhetit të shtyhet dhe se kërkesa e PD ishte pretekst për të bllokuar buxhetin vetëm për arsye politike siç kanë bërë edhe vitet e shkuara kur ishin mazhorancë në këshillin bashkiak. Kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi se miratimi i buxhetit do të bëjë që bashkia të vazhdojë me intensitet punën e saj në dobi të gjithë qytetarëve të Durrësit me investime të shumta që janë në proces dhe të investimeve të reja që do të nisin këtë vit. Kryebashkiaku Dako theksoi se për realizimin e këtij buxheti janë organizuar takime me komunitetin të shtrira në të gjithë qytetin, në kuadër të praktikave të buxhetimit me pjesëmarrje të cilat janë praktika të konsoliduara në Bashkinë e Durrësit dhe në vijim të përqasjes qytetare dhe të nevojave të tyre në buxhet. Këndvështrimi qytetar i shprehur në formën e opinioneve apo perceptimeve për vitin 2015 apo nëpërmjet të gjithë formave apo mekanizmave të tjerë të thithjes së këtij mendimi orientuan në hartimin e këtij buxheti për vitin 2015, profili i të cilit është: Vazhdimi i përmirësimit të ndjeshëm të infrastrukturës rrugore, vijimi i investimeve për shtimin sasior dhe cilësor të hapësirave të gjelbërta si dhe përmirësimin e shërbimeve të tjera publike, që ndikojnë pozitivisht për një rritje cilësore të jetës në qytet, përdorim të mjeteve alternative të financimit me kredi për projektet e Banesave Sociale me qera, bashkefinancimin në projekte në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar të programit të paraaderimit në BE. Për vitin 2015 renditen si më prioritare infrastruktura rrugore, rivitalizimi i hapësirave dhe rikualifikimet urbane dhe strehimi social. Plani i Shpenzimeve Kapitale për vitin 2015 i shton Qytetit të Durresit 458 milion lekë investime në rikonstruksione rrugesh e hapesira publike, 94 milion lekë investime për rikualifikime urbane, 12.5 milion lekë investime në arsim e sport, 100 milion lekë në ndërtimin e banesave sociale, pra rreth 691 milion lekë investime gjithsej. Ky buxhet- deklaroi kryebashkiaku Dako- është pasqyrë e një vendimmarrjeje të përbashkët me komunitetin, shprehje besnike e nevojave dhe pritshmërisë së qytetarëve durrsakë. Buxheti i Bashkisë Durrës për vitin 2015 është një buxhet i balancuar ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve i programuar në vlerën 1.712.801.000 lekë.
Këshilli bashkiak miraton buxhetin e vitit 2015 të Bashkisë së Durrësit
- Detaje
