Drejtoria e Policisë së Durrësit e mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë të PAMECA IV, projekti ICARO, vijon projektin për rritjen e sigurisë në rrugë. Nxënës të shkollave të mesme të qytetit, u ftuan të ndiqnin një film që përçon mesazhe sensibilizuese, për zbatimin e rregullave të qarkullimit dhe rritur sigurinë rrugore. Në aktivitetin ku u shfaq më pas filmi “Rinia europiane”, ishin pjesëmarrës Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, Kryetari i Bashkisë Durrës Vangjush Dako, ambasadorja e BE-së në Tiranë Romana Vlahutin, zv/ministrja Elona Gjebrea, prefekti Roland Xhelilaj, kryetari i këshillit të Qarkut Alfred Mullaraj, Drejtori i Policisë Perlat Çullaj si dhe nxënës nga shkolla të mesme të qytetit bregdetar. Në këtë takim është prezantuar projekti “ ICARUS”, i cili ka në thelb ndërgjegjësimin e shoqërisë për sigurinë rrugore dhe zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor. Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako duke përshëndetur takimin ka sjellë një eksperiencë personale që lidhet me aksidentin që pësoi djali i tij para disa muajsh. Kryebashkiaku Dako tha se në këtë aksident djali i tij rrezikoi jetën dhe prandaj është shumë e rëndësishme që të rinjtë të kenë mjaft kujdes në drejtim të jetës që bëjnë dhe zbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor. Ministri i punëve të brendshme Saimir Tahiri është shprehur se është mjaft e rendësishme të edukojmë përdoruesit e rrugës, drejtuesit e mjeteve dhe kalimtarët, pasi shifrat e personave që humbin jetën në aksidente rrugore janë shumë të larta. Ambasadorja e BE-së në vendin tonë Romana Vlahutin në përshëndetjen para të rinjve është shprehur se “Mesazhi im për ju është zbatoni rregullat e qarkullimit rrugor që të kujdeseni për veten dhe të tjerët.” Takimi ka vijuar me shfaqjen e filmit dokumentar Evropa e re dhe diskutime mes të pranishmëve dhe përfaqësuesve të programit PAMECA IV, si organizatore e kësaj ngjarje.