Rruga pranë kishës ortodokse në Durrës ka marrë emrin "Imzot Fan S. Noli" në një ceremoni të veçantë përkujtimore. Kisha ortodokse në Durrës në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit kanë zgjedhur 8 marsin për zhvillimin e kësaj ceremonie pasi në 8 mars 1908 në moshën 26-vjecare kleriku dhe patrioti i madh shqiptar Fan Stilan Noli u dorëzua prift. Në fillim në kishën e Apostull Pavlit dhe Shën Astit u zhvillua mesha për këtë rast e cila u drejtua nga hirësi Nikolla peshkop i Apolonisë. Të pranishëm në këtë meshë kanë qenë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare si dhe qytetarë të Durrësit. Më pas në një ceremoni të veçantë u zbulua edhe pllakata me emrin e Fan Nolit që tashmë ka kjo rrugë. Pllakata u zbulua nga kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe hirësi Nikolla. Kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako tha në fjalën e tij me këtë rast se bashkia dhe këshilli bashkiak e miratuan menjëherë kërkesën e kishës ortodokse dhe të qytetarëve të Durrësit për vendosjen e emrit të kësaj rruge për nder të patriotit të madh Fan Noli. Kryebashkiaku Dako deklaroi se ishte dëshirë unanime e të gjithëve që kjo rrugë të merrte emrin e një prej figurave më të rëndësishme të Shqipërisë siç është Fan Noli dhe se Bashkia e Durrësit do të vazhdojë të promovojë edhe më shumë të gjitha figurat e rëndësishme që kanë dhënë kontribut të çmuar për qytetin e Durrësit. Ndërsa përfaqësuesi i kishës ortodokse të Durrësit at Spiro Kostoli deklaroi se Kisha kishte zgjedhur muajin mars për të nderuar figurën e Nolit të madh i cili ishte edhe mitropolit i Durrësit pasi pikërisht në 8 mars 1908 Noli u dorëzua prift dhe në 22 mars të po atij viti kreu meshën e parë në gjuhën shqipe ndërkohë që në 13 mars është edhe 50 vjetori i vdekjes së tij. At Spiro Kostoli deklaroi gjithashtu se kisha ortodokse e Durrësit dhe e gjithë Shqipërisë e vlerëson Fan Nolin si inisiatorin e autoqefalisë së kishës ortodokse shqiptare por nga ana tjetër ai me përkthimin e librave kishtarë kontribuoi në vendosjen njëherë e mirë të përdorimit të gjuhës shqipe në shërbesat fetare ortodokse. Në ceremoninë e vendosjes së emrit të rrugës Imzot Fan S. Noli morën pjesë qindra besimtarë si dhe qytetarë të Durrësit.