Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri Florian Rauning. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe kryetari i komisionit parlamentar të sigurisë kombëtare Spartak Braho. Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako i ka bërë një ekspoze të shkurtër resurseve ekonomike dhe turistike të qytetit të Durrësit duke u shprehur se me reformën territoriale Durrësi do ta zgjerojë sipërfaqen e tij dhe do të ketë shumë më tepër potencial zhvillimi në të gjitha fushat e sidomos në sektorin turistik për shkak të zhvillimit në drejtim të turizmit që do të marrë vija bregdetare. Po kështu kryebashkiaku Dako deklaroi se me projektet e mëdha urbane dhe infrastrukturore të financuara nga qeveria, po kryhen nga Bashkia e Durrësit investime shumë të rëndësishme që po përmirësojnë imazhin e Durrësit por edhe të gjithë vendit pasi pikërisht Durrësi është porta kryesore e hyrjes në vendin tonë ku turistët e huaj do të përballen me një imazh të bukur turistik e po kështu edhe qytetarët e Durrësit tashmë do të kenë një qytet me një tjetër faqe. Nga ana e tij kryetari i prezencë së OSBE-së Rauning i ka shprehur fillimisht urimet e tij kryebashkiakut Dako për investimet e mëdha që po kryhen në qytet dhe që sipas tij ja kanë ndryshuar faqen Durrësit. Më tej ai u shpreh se qyteti i Durrësit është një pikë kyçe në të gjithë rajonin e Ballkanit dhe ka potenciale të mjaftueshme për të qenë një urë lidhëse mes Evropës lindore dhe asaj perëndimore. Po kështu sipas Rauning Durrësi ka potencial të madh turistik dhe është një nga qytetet më të rëndësishme turistikë të vendit. Sa i përket zgjedhjeve vendore Rauning deklaroi se adminitrata shqiptare është teknikisht mjaft e përgatitur për të zhvilluar zgjedhje sa më të mira, korrekte dhe të ndershme. Në këtë takim të zhvilluar në një atmosferë shumë miqësore kryebashkiaku Dako dhe kreu i OSBE-së Rauning kanë biseduar edhe për shumë çështje të tjera të fushave të ndryshme por edhe përsa i përket zgjedhjeve vendore.