Pas 5 vjetësh ndërprerje, Muzeu Arkeologjik i Durrësit u çel për publikun, i rindërtuar tërësisht mbi bazën e një projekti të ri. Në ceremoninë e rastit merrnin pjesë Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama, kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, Ministri i Mjedisit Lefter Koka, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë dhe të ftuar të tjerë.

Vitin e kaluar, me iniciativë të Ministrisë së Kulturës, në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe Bashkinë e Durrësit, nisi rikontruksioni i muzeut dhe më pas, puna për muzealizimin, restaurimi i objekteve arkeologjike dhe ekspozimi e tyre. Në fjalën e tij kryemnistri Rama deklaroi se përballë një institucioni të lënë tërësisht në harresë, u desh realizimi i një projekti të ri serioz dhe profesional:

“Ajo që na u desh të bënim ishte të rimerrnim në dorë fatin e muzeut dhe të rikonceptonim nga e para të gjithë projektin, duke përfshirë edhe mjediset të cilat ishin lënë plotësisht jashtë dore. Është një muze që është rindërtuar tërësisht mbi bazën e një projekti të ri dhe falë pasionit të jashtëzakonshëm të njerëzve që e kanë udhëhequr dhe jetësuar këtë projekt, me një ndjenjë të madhe dashurie dhe me një shprehje të fortë vullnetarizmi. Ne e kemi synim të rëndësishëm transformimin e domosdoshëm të marrëdhënies me trashëgiminë kulturore, një marrëdhënie e degraduar rëndë në vitet e tranzicionit. Pjesë e këtij synimi është edhe gjithë vëmendja që kemi fokusuar në mënyrë të posaçme në këtë qytet. E gjithë kjo punë që është bërë në muze është kryer me një fond modest prej 80 mijë dollarësh. Dhe në një vit të vetëm janë restauruar 2500 objekte arkeologjike, të cilat nuk ishin prekur prej 30-40 vjetësh. Kjo është në fakt arsyeja pse ne jemi shumë krenarë, sot, që çelim dyert e këtij muzeu, i cili, përveç të tjerash, do të ketë një program edukativ, një sallë konferencash dhe një kalendar vjetor të aktivitetit të vetë.”

Ndërkohë, sipas kryemnistrit muzeu do të jetë pjesë e një zinxhiri projektesh që do ta rrethojnë duke i dhënë mundësi të tjera të reja të gjithë kësaj zone duke filluar nga Kodra e Currilave deri tek Amfiteatri: “Kemi bashkëpunuar me Bashkinë e Durrësit për të krijuar një zinxhir projektesh që do ta rrethojnë muzeun nga kodra, që ishte një ide dhe një projekt i Ministrit të Mjedisit dhe që Qeveria e mbështeti fuqimisht. Sot do t’ju ftoj të gjithë ju, miqve të nderuar, që vini për të vizituar këtë muze, të bëni një shëtitje për të parë se çfarë transformimi i madh ka ndodhur deri tek Amfiteatri, duke kaluar edhe përmes pishinës publike, për të cilën ne i kemi dhënë financimin, së fundi, Bashkisë së Durrësit. Dhe faktikisht, pranë muzeut do të kemi edhe pishinën publike për fëmijët, për të rinjtë, edhe për të moshuarit, duke krijuar kështu një zinxhir hapësirash publike për t’u jetuar, që nga kohët e lashta deri në nevojën e ditës së trupit për not dhe për freski. Do të vazhdojmë me fazën tjetër për Amfiteatrin ku do të çlirojmë arenën nga ndërtimet me dhe pa leje brenda saj dhe do t’ua kthejmë atë qytetarëve dhe vizitorëve”, deklaroi Rama.

Në fjalën e tij kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako deklaroi se muzeu arkeologjik është një aset mjaft i rëndësishëm i Durrësit dhe se ky investim bashkë me shumë investime të tjera që po kryhen nga qeveria dhe bashkia e qytetit po i japin një pamje të re Durrësit: “Ky muze është dëshmi e historisë dhe trashëgmisë sonë kulturore. Është dëshmi e lashtësisë së qytetit tonë dhe ky investim i kryer i ka rikthyer qytetit një aset më shumë për qytetarët dhe vizitorët që pritet ta vizitojnë atë. Ky investim dhe shumë të tjerë që janë realizuar me fonde të qeverisë shqiptare dhe bashkisë së Durrësit kanë bërë që ne të kemi tashmë një qytet tërësisht të transformuar dhe të denjë për brezat e ardhshëm. Dua të falënderoj qeverinë shqiptare dhe stafin e muzeut që është marrë me transformimin e mjediseve të tij.”

Muzeu Arkeologjik i Durrësit ka një fond prej 3204 objektesh, nga të cilat 2400 janë të ekspozuara sot, ndërsa faza e dytë, me muzealizimin e objekteve të tjera, do të vijojë vitin tjetër. Ministrja Kumbaro njoftoi se, gjithashtu, në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, po përgatitet një version i ekspozitës arkeologjike edhe për vizitorët e verbër, një mundësi e re kjo në Shqipëri. Gjatë vitit 2014, falë punës së bërë, është vërejtur dyfishim i numrit të vizitorëve objektet e trashëgimisë kulturore në të gjithë vendin.

Pas përurimit të muzeut kryeministri Rama i shoqëruar nga ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe kreu i bashkisë, Vangjush Dako ka inspektuar edhe përfundimin e fazës së parë të punimeve për rehabilitimin e Kodrës së Currilave në Durrës. Më tej kryemnistri Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama, kryebashkiaku Vangjush Dako dhe deputeti Blendi Klosi kanë vizituar edhe sheshin Liria ku kanë inspektuar punimet e kryera deri tani në këtë shesh i cili pas përfundimit të investimit do ti japë një pamje mjaft tërheqëse qendrës së qytetit.