Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka kryer homazhe dhe ka shprehur vlerësimin e lartë për një nga figurat e shquara të artit durrsak dhe atij kombëtar kompozitori Agron Xhunga i cili është ndarë nga jeta në moshën 69-vjeçare si pasojë e një sëmundjeje të rëndë nga e cila vuante prej kohësh. Në nderim të tij janë kryer homazhe në hollin e teatrit A. Moisiu të Durrësit ku qindra personalitete dhe qytetarë të Durrësit kanë shprehur nderimin për këtë figurë të shquar të artit durrsak dhe atij kombëtar. Kryebashkiaku Dako deklaroi se figura të tilla i japin vlerë të madhe qytetit dhe ata meritojnë nderim maksimal: “Durrësi ka humbur një nga ikonat e artit. Jemi të pikëlluar nga humbja e një artisti dhe kompozitori të shquar dhe shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjen dhe të afërmit. Figura të tilla i japin vlerë të madhe qytetit dhe ata do të nderohen dhe respektohen maksimalisht pasi kontributi i tyre për qytetin është i jashtëzakonshëm”. Agron Xhunga, bashkë me shumë artistë të tjerë durrsakë i dhanë fuqi muzikës dhe këngës, duke marrë dhe çmime në festivale. Xhunga është nderuar me disa çmime në festivalet shqiptare të këngëve, ku ndër kompozimet e tij më të njohura përmendim: “Si lule maji”, “Të dua”, “Në ekranin e televizorit”, etj.