Me rastin e 5 Majit, ditës së nderimit për të rënët e kombit shqiptar kryetari i Durrësit Vangjush Dako ka kryer homazhe në Mauzoleumin e Dëshmorëve në Durrës. Në respekt të veprës heroike të këtyre dëshmorëve e heronjve kryebashkiaku Dako ka vendosur kurora me lule në vendin ku ndodhen pllakat përkujtimore të të rënëve për liri. Së bashku me kryebashkiakun Dako kanë zhvilluar homazhe edhe qindra veteranë, deputetë, përfaqësues të pushtetit vendor, përfaqësues të besimeve fetare dhe shumë qytetarë durrsakë. Të gjithë të pranishmit kanë parakaluar përpara pllakave përkujtimore të heronjve dhe dëshmorëve të Durrësit. Në fjalën e tij kryebashkiaku Vangjush Dako u shpreh se të gjithë përkulen me nderim përpara aktit heroik të atyre njerëzve që dhanë jetën për lirinë e vendit: “Jemi mbledhur  sot  këtu për të përkujtuar si çdo vit 5 majin,  ditën  ku secili prej nesh përulet me respekt të thellë ndaj aktit heroik të të rënëve që dhanë jetën për clirimin e atdheut. Në çdo 5 Maj duke u përulur me respekt kemi përsëritur në heshtje të njëjtin premtim : ...do të jepemi me të gjitha forcat që ta mbajmë amanetin tuaj për një Shqipëri të lirë ashtu si ju vetë e ëndërruat ... Në vitet e luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të rinjtë e  Durrësit  të inkuadruar në formacionet partizane të çetave territoriale me lirinë në zemër të përfshirë në flakën e atdhetarise u hodhën me guxim në betejën e madhe për çlirimin e vendit. Ata kishin në zemër idealin kombëtar kundër pushtuesve dhe tradhtarëve për një Shqipëri të lirë e demokratike, zemra e tyre ishte përflakur me ideale të pastra. Ata nderuan veten e tyre, familjet, Durrësin dhe gjithë Shqipërinë; ata u përjetësuan në altarin e atdheut. Varrezat e dëshmorëve, shtëpia e tyre e përjeteshme është pa dyshim këndi më i dashur i kujtesës sonë historike. Ne vijmë me buqeta me lule në duar të heshtur e plot dhimbje por njëkohësisht  plot respekt deri në përjetesi  aktin e tyre. Vizita jone e përvitshme çdo 5 Maj është  një ritual i gjallë jetësor nderimi dhe adhurimi për bijtë qe u flijuan për vendin dhe Atdheun, për ne që gëzojmë prej kaq vitesh erën e lirisë. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre! Lavdi deshmoreve te atdheut!” Në këtë ceremoni u shpreh respekti dhe mirënjohja për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë dhe që sakrifikuan deri jetën e tyre për lirinë e vendit. Pas ceremonisë kryebashkiaku Vangjush Dako ka shtruar një drekë për veteranët e luftës dhe familjarët e dëshmorëve.