Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka përuruar rrugën Vath Truja në lagjen 14 të Durrësit. Kjo rrugë dikur problematike tashmë është rikosntruktuar sipas të gjitha standarteve me kanalizime, shtylla ndriçimi, trotuare etj dhe përmirëson cilësinë e jetesës së rreth 15 mijë banorëve të zonës si dhe dhjetra bizneseve që operojnë në zonën e Nishtullës në Shkozet. Gjatë këtij përurimi kryebashkiaku Dako ka takuar një numër të madh banorësh të kësaj zone që kanë bashkëbiseduar me të. Komuniteti i kësaj lagjeje ku ka edhe një numër të madh banorësh romë kanë uruar kryebashkiakun për punën e bërë deri tani dhe kanë shprehur besimin e tyre që kjo punë kaq e madhe për transformimin e qytetit do të vazhdojë edhe në mandatin e ardhshëm. Nga ana e tij kryebashkiaku Dako deklaroi se në territorin e Bashkisë së re të Durrësit do të rikonstruktohen të gjitha rrugëm lidhëse midis fshatrave: “Rikonstruksioni i kësaj rruge shërben për përmirësimin e cilësisë së jetës jo vetëm të banorëve të kësaj zone por edhe bizeneseve të shumta që operojnë këtu e sidomos të tregut të fruta perimeve. Në këtë zonë jeton edhe një komunitet i madh romësh dhe ne përveç këtij aksi kryesor kemi rikonstruktuar edhe të gjitha rrugët dytësore që shkojnë në të gjitha shtëpitë rome. Po kështu kemi ngritur në këtë zonë përpara pak vitesh edhe një qendër komunitare në shërbim të këtyre njerëzve në nevojë dhe gjatë këtyre 8 viteve e kemi treguar me vepra konkrete, me ndihma e me projekte reale që jemi në krah të të gjithë këtij komuniteti dhe njerëzve në nevojë. Po kështu kjo rrugë ka rëndësi sepse është edhe rruga që lidh Durrësin me Shënavlashin. Ne i premtojmë të gjithë banorëve të bashkisë së re të Durrësit që do ti rikonstruktojmë të gjitha rrugët të cilat lidhin fshatrat me njëri tjetrin. Me anë të rikonstruksionit të kësaj rruge ne tregojmë sesi do të jetë bashkëpunimi dhe se do të kemi të bëjmë me një qytet të vetëm, me një bashki të vetme dhe se do të trajtohen në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët kudo ku ndodhen në këtë bashki.” Rikonstruksioni i rrugës Vath Truja është realizuar me një fond prej 37.748.280 lekë dhe janë shtruar me asfalt 7600 m2 sipërfaqe, 2500 m2 trotuare, 27 tabela sinjalistike, 40 shtylla ndriçimi etj.