Durrësi po merr një pamje krejt të re dhe po bëhet një qytet më atraktiv për pushuesit por edhe më i bukur për qytetarët durrsakë dhe kjo falë projekteve dhe punës së Bashkisë së Durrësit që po mbështetet fuqishëm edhe nga qeveria shqiptare në realizimin e shumë projekteve madhore. Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka zhvilluar një bashkëbisedim me banorët e lagjeve 11 dhe 4 me rastin e përfundimit të punimeve të fasadave në bulevardin Dyrrah dhe Epidamn. 

 

Në këtë takim banorët e këtyre lagjeve kanë falenderuar kryebashkiakun Dako për punën e bërë fillimisht me rikonstruksionin e bulevardit kryesor të Durrësit e më pas edhe me rikualifikimin e fasadave duke e ndryshuar tërësisht imazhin e zonës qëndrore të Durrësit por edhe duke i rritur vlerën banesave të tyre e po kështu gjithë kjo ka ndikuar pozitivisht edhe tek bizneset e shumta të kësaj zone. 

 

Në fjalën e tij Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako deklaroi se rikonstruksioni i fasadave është në vazhdën e investimeve të shumta që po kryhen në qytetin e Durrësit dhe që po ja ndryshojnë totalisht faqen qytetit: “Durrësi është një qytet turistik që ka nevojë për një imazh tjetër, imazh të cilin ne jemi duke ja dhënë çdo ditë me punën dhe projektet tona. Rikualifikimi i fasadave dhe rikonstruksioni i të gjithë bulevardit kryesor të Durrësit është një nga këto projekte madhore që kanë ndryshuar imazhin kësaj zone. Ne po kryejmë një sërë investimesh në infrastrukturë në shumë zona të qytetit në qendër dhe në periferi dhe janë këto investime që po ja ndryshojnë faqen qytetit për të krijuar kushte sa më të mira jetese për banorët e Durrësit. 

 

Është një investim për të përmirësuar imazhin e Durrësit, si një qytet me histori e trashëgimi të pasur kulturore dhe një qytet turistik. Kishte 25 vjet që nuk vihej dorë në këto fasada dhe tashmë pas punës që kemi bërë vetë ju qytetarët jeni dëshmitarë të transformimit të këtij bulevardi dhe përveç imazhit i kemi dhënë më shumë hapësirë qytetarit që ecën në këmbë dhe më pak hapësirë trafikut të makinave e po kështu kjo punë që kemi bërë në këtë bulevard kryesor i ka përmirësuar cilësinë e jetës qytetarëve por edhe bizneseve të kësaj zone. Transformimi i plotë i këtij bulevardi kryesor i cili përfundon në shëtiroren Taulantia i shërben të gjithë qytetarëve të Durrësit për të shkuar në shëtitoren buzë detit. Brenda 15 ditëve do të fillojmë rikualifikimin e më shumë se 100 mijë m2 të fasadave në rrugë të tjera të qytetit me fonde të qeverisë dhe punimet për këto fasada do të zgjasin tre muaj.” 

 

Më tej Dako deklaroi se këto investime madhore për qytetin po kryhen falë mbështetjes së qeverisë: “Për të kryer investime madhore duhet mbështetje e qeverisë dhe për 6 vite të qeverisë së mëparshme ne nuk e kemi patur këtë mbështetje pasi për këto 6 vite të marra së bashku ne na janë dhënë nga qeveria e mëparshme vetëm 1,6 milion dollarë ndërkohë që vetëm për këto dy vjet qeveria Rama na ka akorduar 22 milionë dollarë për investimet madhore në Durrës duke na dhënë një mbështetje tepër të fuqishme për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve të Durrësit.” 

 

Ky projekt është bazuar edhe në raportin e Masterplanit të Qendrës së Durrësit, i cili trajton temën e ruajtjes së fasadave të qendrës historike. Punimet e kryera deri tani për rikualifikimin e fasadave janë kryer me një fond prej rreth 32 milion lekësh dhe janë kryer punime në një sipërfaqe prej 20 mijë m2

 

Tashmë puna do të vazhdojë me rikualifikimin e fasadave në 7 akse kryesore të qytetit dhe fond i përgjithshëm i financuar nga qeveria shqiptare për këtë projekt madhor është rreth 108 milion lekë dhe do të rikualifikohen fasadat në qytet në një sipërfaqe prej rreth 113 mijë m2. Deri tani janë kryer punimet në  shëtitoren Taulantia, bulevardin Epidamn, bulevardin Dyrrah dhe rrugën Kristaq Rama ndërkohë që punimet do të vazhdojnë në fasadat e të dy anëve të rrugëve “Aleksander Goga”, Rruga e “Dëshmorëve”, Rruga “Adria”, Objektet tek Sheshi “26 Nentori 1912” (Stacioni i Trenit), Rruga “Egnatia” deri tek hyrja e portit dhe Rruga “Hafiz Podgorica”. Pas përfundimit të të gjithë projektit do të përmirësohet ndjeshëm imazhi i Durrësit si një qytet turistik.