Presidenti i parlamentit evropian Martin Schultz ka zhvilluar një vizitë në qytetin e Durrësit. Ai është pritur nga kryetari i bashkisë Vangjush Dako, ndërkohë që shoqërohej edhe nga ministrja e Integrimit Klajda Gjosha dhe ambasadorja e BE-së në vendin tonë Romana Vllahutin. Kreu i parlamentit evropian vizitoi fillimisht muzeun arkeologjik, ku u njoh me hollësi mbi kulturën dhe historinë e vendit tonë. Pasi ka parë nga afër disa nga pavionet më të rëndësishme që gjenden në katin e parë të muzeut, kryeparlametari evropian i shoqëruar nga kryebashkiaku Dako ka shëtitur në këmbë përgjatë shëtitores Taulantia deri tek vepra arkitekturore e ndërtuar këtë vit në zonën e Brrylit. Tek monumenti i Sfinksit, Schultz dhe Dako kanë qëndruar për disa minuta, ku zoti Schultz shprehu vlerësimin e tij për këtë vepër që është kthyer në një pikë referimi dhe vizitash për qytetarët e Durrësit dhe turistët. Gjatë kësaj mbrëmjeje delegacioni i BE-së ka qendruar duke kaluar edhe darkën në qytetin bregdetar.