Stampa

Me rastin e Ditës botërore kundër Trafikimit të personave u organizua në Durrës një marshim sensibilizues ku mori pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, Zv/ministrja e Brendshme Elona Gjebrea, Prefekti i Qarkut Roland Xhelilaj, Kreu i Qarkut Alfred Mullaraj, deputetë dhe përfaqësues të OJF që punojnë në këtë fushë. Në fjalën e tij kryebashkiaku Vangjush Dako falenderoi organizatorët që zgjodhën Durrësin për këtë sensibilizim dhe deklaroi se është shumë e nevojshme që qytetarët, të kuptojnë se kush janë format e trafikimit e aq më tepër Durrësi që është një vend turistik , me shumë vizitorë, duke patur dhe portin merr një rëndësi të veçantë. Kryebashkiaku Dako shtoi se në sajë të punës së madhe që kanë bërë të gjithë aktorët dhe faktorët në Durrës përsa i përket luftës kundër trafikut të personave ky fenomen në qytetin tonë ka ardhur drejt uljes. Zv/ministrja Gjebrea tha se puna e strukturave kundër trafikimit është rritur dhe rezultatet janë të ndjeshme. Në 2014 janë ndjekur penalisht 18 të pandehur, nga 3 që ishin një vit më herët, ndërsa janë identifikuar 125 viktima të mundshme të trafikimit. Zv/ministrja Gjebrea deklaroi se qeveria shqiptare ka një numër falas: 116 006 – linja kombëtare falas në ndihmë të viktimave të trafikimit. Më tej Gjebrea shtoi se qeveria shqiptare, Kryeministri, Ministri i Brendshëm dhe gjithë strukturat e kanë prioritet të punës së tyre luftën kundër trafikimit të personave dhe vetëm të gjithë së bashku ne do të arrijmë të tregojmë vendosmëri dhe sfidë për parandalimin dhe për të çuar para drejtësisë ata trafikantë që guxojnë dhe vënë në lojë dinjitetin e shumë vajzave dhe grave. Komiteti rajonal i Durrësit është një model suksesi ndaj një arsye që u zgjodh Durrësi është edhe përsa i përket punës shumë të mirë që ka bërë ky komitet duke vënë në efiçencë të gjitha strukturat. Në këtë marshim sensibilizues u theksua se trafikimi është një krim i rëndë cenon dinjitetin e njeriut dhe të gjithë duhet të ngrenë zërin për mbrojtjen e të drejtave të viktimave të trafikimit. Trafikimi i personave është një akt që shkel të drejtat e njeriut, një akt që cënon dinjitetin dhe integritetin e personit. Trafikimi është KRIM I RËNDË. Viktimë e trafikimit është çdo fëmijë, çdo grua, çdo burrë që i është mohuar liria, që është keqtrajtuar, detyruar, dhunuar, mashtruar për t’u shfrytëzuar seksualisht, për punë, për lypje, heqje organesh apo aktivitete të tjera ilegale. Për të luftuar edhe më shumë këtë fenomen cilido mund të raportojë çdo rast trafikimi apo të kërkojë ndihmë në rast se është trafikuar në numrin e telefonit falas 116006 apo mund të dërgojë SMS përmes Aplikacionit “Raporto Shpëto”, i cili shkarkohet falas nga Google Play Store.