Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka bërë betimin në këshillin bashkiak të qytetit për mandatin e tij të tretë në krye të Bashkisë së Durrësit. Kryebashkiaku Dako pasi ka bërë betimin në fjalën e tij përshëndetëse ka deklaruar se edhe në mandatin e tretë Bashkia e Durrësit ka prioritet përmirësimin e jetesës së qytetarëve durrsakë nëpërmjet investimeve të mëdha që po transformojnë përditë e më shumë imazhin e një qyteti turistik si Durrësi. Kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi se interesat e qytetit dhe qytetarëve durrsakë do të vazhdojnë të jenë prioritare në punën e tij dhe të Bashkisë që ai drejton. Kryebashkiaku Dako deklaro gjithashtu se të gjitha ato zotime që ai ka marrë do ti bëjë realitet dhe do të punojë për të gjithë qytetarët e Durrësit pa asnjë dallim sepse për ne - tha Dako - qytetarët janë të gjithë njësoj dhe ne do tu shërbejmë të gjithëve me përkushtimin maksimal: “Ky mandat është mjaft i rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të qytetit. Tashmë me ndarjen e re territoriale kemi mundësi ti shërbejmë një komuniteti më të madh qytetarësh. Garantoj se do të jem gjithnjë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa marrë parasysh bindjet e tyre politike, të gjithë qytetarët meritojnë njëlloj shërbime dhe për në të gjithë qytetarët janë njësoj. Në këtë  mandat të gjitha projektet e paraqitura do ti kthejmë në realitet duke çuar më përpara zhvillimin e këtij qyteti. Shpresoj që duke gjetur konsensusin në këshillin bashkiak do të punojmë bashkë në të mirë të qytetarëve.” Në ceremoninë e betimit të kryebashkiakut Dako ka qenë i pranishëm ministri i pushtetit vendor Bledi Çuçi si dhe ministri i mirëqënies sociale dhe njëkohësisht deputet i Durrësit Blendi Klosi. Betimi i kryetarit të Bashkisë Vangjush Dako është përfshirë në rendin e ditës së mbledhjes së parë të këshillit bashkiak për mandatin e ri. Në këtë mbledhje u krye kostituimi i këshillit të ri bashkiak si dhe u procedua me zgjedhjen e kryetarit të këshillit bashkiak. Në votim morën pjesë 51 anëtarë të këshillit bashkiak ku me shumicë votash u zgjodh kryetar i këshillit bashkiak Alban Ramohitaj dhe nënkryetar i këtij këshilli Artur Bujari që të dy përfaqësues të Aleancës për Shqipërinë Evropiane. Po kështu këshilli bashkiak ka zgjedhur edhe anëtarët për këshillin e Qarkut.