Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes së binjakëzimit të shkollës së mesme teknologjike Hysen Çela në Durrës me shkollën profesionale të peshkimit në Komakio të Ferraras në Itali. Kjo marrëveshje synon rritjen profesionale të nxënësve shqiptarë, pasi me anë të saj parashikohet që përvoja italiane të bëhet  realitet edhe në Durrës duke vënë në funksion kryerjen e gjysmës së procesit mësimor në praktikë. Të pranishëm në nënshkrimin e kësaj marrëveshje kanë qenë edhe ministri i mirëqënies sociale dhe rinisë Blendi Klosi dhe ambasadori i Italisë Masimo Gaiani, si dhe drejtues të dy shkollave përkatëse. Ministri Klosi në fjalën e  tij tha se me anë të kësaj marrëveshje ne vemë në jetë ngritjen e shkollave të ekselencës, e cila ka qenë prioritet i reformës në arsimin profesional. Ministri Klosi shtoi se kërkesat për të ndjekur këtë shkollë janë rritur ndjeshëm dhe aktualisht kemi godina shumë të mira, por nuk kemi shumë laboratore që të ndikojnë në kualifikimet përkatëse. Kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako është shprehur se ky projekt është mjaft i mirë për Durrësin, pasi ne dhe biznesi lokal synojmë një rritje profesionale të stafit që punësohet pas përfundimit të shkollës. Ambasadori i Italisë Masimo Gaiani u shpreh se është e rëndësishme që të investohet në burimet  njerëzore dhe formimin e tyre dhe në këtë mënyrë është mjaft e rëndësishme që ti përgjigjemi kërkesave dhe kushteve të tregut. Nënshkrimi i marëveshjes me shkollën italiane që  ka eksperiencë shumëvjecare në fushën e ekonomisë së detit dhe industrinë e peshkimit do të bëjë të mundur që edhe nxënësit e shkollës Hysen Çela të përfitojnë nga kjo përvojë.