Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim komandantin e anijes “TCSG YASAM” të rojes bregdetare turke kapiten rangu i dytë Oguz Bavbek i shoqëruar nga zv/atasheu i ambasadës turke Raif Sarica si dhe oficerë të tjerë të kësaj anijeje që ka mbërritur në portin e Durrësit. Anija e rojes bregdetare turke “TCSG YASAM” ka ardhur në portin e Durrësit në zbatim të planit të bashkëpunimit ushtarak dypalësh për vitin 2015 midis Forcave të Armatosura dhe Forcës Detare (FD) shqiptare me Flotën Detare të Republikës së Turqisë. Qëllimi i kësaj vizite është trajnimi dhe bashkëveprimi midis FD-së së Shqipërisë dhe anijeve të Rojës Bregdetare turke për operacionet e kërkim-shpëtimit në det.  Komandanti i anijes Oguz Bavbek dhe ushtarakë të tjerë të saj i kanë shprehur kryebashkiakut Dako kënaqësinë e kësaj vizite në Durrës qytet i cili i ka lënë mbresë ushtarakëve turq. Më pas ata kanë diskutuar me kryebashkiakun e Durrësit çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ushtarak në kuadër të NATO-s si dhe miqësinë që ekziston midis popullit shqiptar dhe atij turk. Zv/atasheu i ambasadës turke Raif Sarica nga ana tjetër deklaroi se shprehet i mrekulluar sa herë që vjen në Durrës për shkak të transformimeve të shumta me projekte madhore që janë bërë në qytet. Kryebashkiaku Vangjush Dako nga ana e tij pasi u ka shprehur mirëseardhjen në Durrës të ushtarakëve të kësaj anijeje, i ka njohur ushtarakët turq me resurset e shumta që ofron qyteti i Durrësit në të gjitha planet. Gjithashtu ai ka bërë edhe një ekspoze të shkurtër të vlerave të rralla historike dhe arkeologjike por edhe ushtarake që ka qyteti ynë. Kryebashkiaku Dako dhe komandanti i anijes turke kanë shkëmbyer edhe dhuratat e rastit e më pas komandanti i anijes dhe oficerët e tjerë kanë zhvilluar vizita në institucionet kulturore të qytetit, si muzeu arkeologjik, amfiteatër dhe muzeu etnografik. Krahas veprimtarive me autoritetet dhe komunitetin civil, ekuipazhi i anijes turke do të zhvillojë stërvitje të përbashkët me efektivat e anijeve të grupit II patrullues të Flotiljes Detare, kryesisht ato me tematikë “PASSEX”: sinjalistikë detare, sinjale komunikimi, patrullim i përbashkët, procedura dhe operacion bordimi, bllokim i elementëve terroristë në det, etj. Anija “TSCG YASAM 704” ka një tonazh prej 1775 ton dhe që nga viti 2012 kur është ndërtuar është në përdorim të rojes bregdetare turke.