Për të diskutuar rreth situatës së krijuar në Durrës e Shijak nga përmbytjet e ditëve të fundit si dhe për të vendosur rreth masave të reja që do të merren për normalizimin e situatës është mbledhur shtabi i emergjencave të prefekturës së Durrësit nën drejtimin e prefektit Roland Xhelilaj dhe me pjesëmarrjen e të gjithë drejtuesve të institucioneve qëndrore e vendore. Në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe ministri Blendi Klosi si dhe kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako. Në këtë mbledhje u theksua se situata është drejt përmirësimit ndërkohë që janë marrë masa për strehimin e familjeve të dëmtuara që do ët vendosen në konvalishencën e ministrisë në plazhin e Durrësit, ndërkohë që u theksua se janë shpërndarë 1400 pako nga ana e organeve shtetërore me ndihma në ushqime dhe veshmbathje ndërkohë që Bashkia e Durrësit nga ana e saj ka shpërndarë 600 pako me ushqime, veshmbathje dhe materiale të tjera logjistike për familjen e dëmtuara nga përmbytjet. Po kështu në këtë mbledhje u vendos që të merren masa të menjëhershme për stabilizimin e situatës të rrugëve dhe shtëpive të dëmtuara si dhe të ngrihen menjëherë komisionet që do të verifikojnë dhe do të përpilojnë procesverbalet për dëmet e shkaktuara nga përmbytja në shtëpitë e banorëve të të gjithë qarkut të Durrësit. Po kështu është theksuar edhe nevoja e fillimit të investimeve për forcimin e argjinaturave të lumenjve e sidomos të lumit Erzen argjinatuar e të cilit është mjaft e dëmtuar. Ministri Blendi Klosi deklaroi se të gjithë duhet të qëndrojmë sa më pranë banorëve të dëmtuar nga përmbytjet në mënyrë që këtyre familjeve të mos u mungojë asgjë. Klosi deklaroi se duhen evidentuar menjëherë problematikat dhe dëmet që i janë shkaktuar familjeve të qarkut të Durrësit si dhe duhen filluar sa më shpejt investimet për zhbllokimin e shtretërve të lumenjve nga pikat e inerteve apo mbeturina e tjera në mënyrë që situata të normalizohet. Nga ana e tij kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako deklaroi se ne drejtuesit të parët duhet të jemi në terren gjatë gjithë kohës për ti qëndruar pranë familjeve të dëmtuara. Kryebashkiaku Dako ka kërkuar nga ndërmarrjet përkatëse që të ndërhyhet për pastrimin e menjëhershëm të kanaleve si dhe mbajtjen në gatishmëri dhe gjendje pune të hidrovorit. Sipas kryebashkiakut Dako të gjithë duhet të dalin në terren për të vepruar konkretisht në normalizimin e situatës së krijuar.