Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka zhvilluar një takim me përfaqësuesen e UNICEF për Shqipërinë Antonella Scolamiero e cila ndodhet në Durrës me rastin e prezantimit të programit të ndërhyrjes së përbashkët me qellim përmirësimin e shëndetit të nënës dhe femijës në rrethin e Durrësit. Kryebashkiaku Dako deklaroi në takim se Bashkia e Durrësit është totalisht në mbështetje të këtij programi që ka mbështetjen e UNICEF por edhe të çdo nisme dhe inisiative si një mundësi më e madhe bashkëpunimi me qëllimin e vetëm përmirësimin e cilësisë së jetës të nënës dhe fëmijës. Më pas kryebashkiaku Dako ka marrë pjesë në prazntimin e këtij programi ku kanë marrë pjesë shumë aktorë që punojnë në këtë drejtim.  

Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë Durrës, me mbështetjen dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësise, UNICEF, Insituti i Sh ndetit Publik, Bashkia Durrës,B ashkia Shijak dhe Fondacionit: Partneritet per zhvillim , organizuan prezantimin e programit të Ndërhyrjes së Përbashkët me qëllim përmirësimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës në rrethin e Durrësit. 

Kjo Ndërhyrje  e Përbashkët përfshin : ngritjen e kapaciteteve të personelit shëndetësor për zbatimin e një qasje të re në ofrimin e shërbimit shëndetësor për nënën dhe fëmijën, forcimin e bashkëpunimit me pushtetin vendor që është vendimtar në aksesin në shërbimet shëndetësore për nënën dhe fëmijën, ndërgjegjësimin e komunitetit për përmirësimin e praktikave të kujdesjes për fëmijët. Nga kjo Ndërhyrje e përbashkët do të përfitojnë: 130 mjekë në të dy nivelet e shërbimit shëndetësor dhe drejtues  në Institucionet  Shëndetësore, 50 infermiere - mami  në fshat, 20 Infermiere Konsultori të fëmijes në qytet, të Konsultorit të Gruas në SRD, 200 nëna, anëtarë të komunitetit dhe në total përfitojnë 5000 familje. 

Përfaqësuesja e UNICEF për Shqipërinë Scolamiero deklaroi se shtimi i ushqyerjes me qumësht gjiri mund të parandalojë të paktën gjysmën e rasteve me diarre, dhe 1/3 e rasteve me infeksion në aparatin e frymëmarrjes – të cilat janë dy nga shkaqet kryesore të vdekjeve të fëmijëve nën moshën 5 vjeç. Sipas UNICEF-it, përfitimet e shumta përsa i përket shëndetit të nënave dhe fëmijëve, si edhe përfitimet e mundshme ekonomike, duhet t’i shtyjnë qeveritë të mbështesin politika dhe programe për të promovuar dhe mbështetur ushqyerjen e fëmijëve me qumësht gjiri nga nënat. 

Nga ana e tij kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi se është përgjegjësia jonë që të sigurojë përmirësimin e dukshëm të cilësisë së jetës së fëmijëve sidomos atyre që vijnë nga familje në nevojë duke u mundësuar fëmijëve, grave e komuniteteve, sidomos grupeve në nevojë, që të gëzojnë standarte të larta të mundshme të shëndetit: “Politika për mirërritjen dhe mbrojtjen e fëmijëve bazohet në parimin themelor që ata duhet të rriten në mjedis të sigurt dhe familjar dhe mundësisht të rriten në familjet e tyre natyrore. Gjatë këtyre viteve nga ana jonë i është kushtuar vëmendje përmirësimit të aksesit në shërbimet cilësore bazë si arsimi, shëndetësia, dhe shërbimet sociale të cilat kontribuojnë në zhvillimin dhe mirëqënien tërësore të fëmijëve, sidomos atyre vulnerabël. 

Është përgjegjësia jonë që të sigurojë përmirësimin e dukshëm të cilësisë së jetës së fëmijëve sidomos atyre që vijnë nga familje në nevojë duke u mundësuar fëmijëve, grave e komuniteteve, sidomos grupeve në nevojë, që të gëzojnë standarte të larta të mundshme të shëndetit. Së bashku do të punojmë duke nxitur dhe mbështetur gratë e fëmijët për të qenë pjesëtarë aktivë që të marrin në dorë gjendjen e tyre shëndetësore duke u fokusuar në shëndetin vetjak, promovimin e shëndetit, forcimin e sistemit shëndetësor, mjedisi dhe siguria rrugore duke vënë theksin sidomos tek nënat dhe fëmijët. Mbështesim çdo nismë dhe inisiativë si një mundësi më e madhe bashkëpunimi me qëllimin e vetëm përmirësimin e cilësisë së jetës të nënës dhe fëmijës.” 

Në Shqipëri, sipas sondazheve të mbështetur nga UNICEF, vetëm 39 për qind e fëmijëve 0-6 muajsh ushqehen me ekskluzivisht me gji, rreth 30 për qind e vdekjeve të fëmijëve mund t'i atribuohet kequshqyerjes dhe 18 % vetëm ushqyerjes me gji. Përveç kësaj, ushqyerja me gji optimale mund të shkaktojë një humbje ekonomike prej 4,8 milion USD / vit.

Në Shqipëri, UNICEF ka qënë një partner i përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, në mbështetje të mbrojtjes dhe promovimit të të ushqyerit me gji, nëpërmjet mbështetjes dhe zgjerimit  të nismës “Spitali Mik i Fëmijëve”, duke përfshirë këtu inciativa komunitare miqësore ndaj fëmijes si dhe zhvillimin e një baze legjislative, për mbrojtjen dhe promovimin e ushqyerjes me gji.

UNICEF e ka mirëpritur vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave, mbi masat për të siguruar shëndetin e grave shtatzëna dhe nënave me fëmijë të vegjël, duke krijuar kohë pushimi gjatë orarit të punës për nënat me fëmijë nën 1 vit.

UNICEF mbështet  Ministrinë e Shëndetësisë dhe Inspektoratin Shtetëror të Shëndetësisë, për iniciativën e tyre për të forcuar ligjin shqiptar për mbrojtjen dhe promovimin e të ushqyerit me gji dhe për forcimin e zbatimit dhe mekanizmave të monitorimit.