Tre klerikë të qytetit të Durrësit janë nderuar me titullin “Nderi i qytetit të Durrësit”, i akorduar nga shoqata “Durrësi” në bashkëpunim me bashkinë e qytetit. Titulli u është dorëzuar klerikëve nga kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako gjatë ceremonisë me rastin e 25 vjetorit të krijimit të shoqatës “Durrësi”. Klerikët e vlerësuar me këtë titull janë Redin Quku, kreu i Myftinisë së Durrësit, At Gjerasin Cakalli, famullitar në katedralen e Apostull Pavlit dhe Shën Astit në Durrës si dhe Dom Gjergj Meta, prift katolik i Arkiodioqezës Metropolitane Tiranë Durrës. Motivacioni për dhënien e këtij titulli për të tre klerikët është: “Për kontributin që jep për mirëkuptimin, dashurinë mes qytetarëve;  për mbështetjen shpirtërore për qytetarët durrsakë, për tolerancën dhe transparencën ndërfetare”.  Pas dorëzimit të titujve nga kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, ky i fundit duke uruar shoqatën për 25-vjetorin e krijimit, tha se jo rastësisht janë përzgjedhur tre klerikët e qytetit për këtë vlerësim, pasi kjo i shkon për shtat edhe vetë qytetit të Durrësit si një qytet që e ka vlerësuar prej kohësh tolerancën dhe bashkëjetesën mes qytetarëve. “Është kënaqësi dhe privilegj për mua që jam në 25 vjetorin e krijimit të shoqatës. Kemi 9 vjet që bashkëpunojmë për shoqatën dhe qytetarët dhe jam shumë i kënaqur për këtë aktivitet. Kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë në dobi të Durrësit, megjithëse shpesh edhe me debate, por në dobi dhe interes të përbashkët për të mirën e qytetit tonë. Do i uroja jetë sa më të gjatë shoqatës dhe ftoj sa më shumë biznesmenë, qytetarë dhe intelektualë që ti bashkohen kësaj shoqate. Dua të falënderoj edhe anëtarët e saj, sepse ajo është një shoqatë jofitimprurëse që punon për të mirën dhe begatinë e Durrësit. Jo rastësisht nderojmë tre klerikët, sepse Durrësi është një qytet që ka tolerancë, bashkëjetesë mes qytetarëve, të ardhurit në vitet e fundit i ka mirëpritur, edhe ata para viteve ‘90, ka qenë një qytet i hapur dhe dashamirës. Këtë shenjë të bashkëjetesës e kanë edhe këta tre klerikë dhe prandaj ne e konkretizojmë me këtë vlerësim tolerancën fetare dhe bashkëjetesën midis komuniteteve.