Bashkia e Durrësit ka prezantuar dhe ka diskutuar me komunitetin dhe grupet e interesit projekt buxhetin e vitit 2016 që pas kësaj faze do të kalojë për miratim në këshillin bashkiak të qytetit. Në këtë prezantim të projektbuxhetit ku merrnin pjesë të gjitha grupet e interest dhe qytetarë të Durrësit kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka diskutar gjerësisht me pejsëmarrësit në lidhje me prioritetet dhe projektet e ndryshme që do të zbatojë Bashkia e Durrësit gjatë këtij viti. Bashkia e Durrësit për vitin 2016 paraqitet me një program të zhvillimit të saj ekonomik ku janë hartuar dhe përcaktuar programe sektoriale dhe prioritare të mbështetura në kostot reale. Në të përcaktohen qartë objektivat për çdo sektor si dhe raporti produkt/rezultat. Për realizimin e këtij buxheti janë organizuar takime me komunitetin të shtrira në të gjithë qytetin, në kuadër të praktikave të buxhetimit me pjesëmarrje të cilat janë praktika të konsoliduara në Bashkinë e Durrësit dhe në vijim të përqasjes qytetare dhe të nevojave të tyre në buxhet. Këndvështrimi qytetar i shprehur në formën e opinioneve apo perceptimeve për vitin 2016 apo nëpërmjet të gjithë formave apo mekanizmave të tjerë të thithjes së këtij mendimi orientuan në hartimin e këtij projekt buxheti për vitin 2016. Prezantimi i këtij projektbuxheti është bërë nga drejtoresha e shërbimeve publike në Bashkinë e Durrësit Emirjana Sako. Reforma administrativo-territoriale ka sjellë ndryshime të ndjeshme në bashkinë e Durrësit. Me shtimin e 5 njësive: Ishëm, Manzë, Sukth, Katund i Ri dhe Rrashbull sipërfaqja e bashkisë nga 46.3km2 ka shkuar në 346.55km2. Ky ndryshim reflektohet edhe në numrin e popullisë i cili nga 212.000 banorë ka shkuar në 306.000 banore. Duke u bazuar në këtë reformë, institucionit të bashkisë i shtohen funksione të tjera si: Sherbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, personeli në arsimin parashkollor dhe atë parauniversitar, rrugëet rurale, administrimi i pyjeve, ujitja dhe kullimi dhe në këtë mënyrë burimet njerëzore shkojnë në 1533 punonjës. Këto ndryshime territoriale e institucionale janë imponuese edhe në prioritetet që bashkia cakton në buxhetin e vet. Për vitin 2016 fokusi kryesor do të jetë:
• infrastruktura rrugore e njësive administrative
• sistemet e kullimit të ujrave të bardha në qendër të Durrësit
• rikualifikimi i hapësirave publike
• infrastruktura arsimore
• përfitimi i qytetarëve në nevojë nga programet e strehimit
Nisur nga këto prioritete këtë vit do të hartohen 3 studime të rëndësishme:
• Projekti për rikualifikimin e sheshit publik para hyrjes së portit 30 milion lekë
• Projekti për Rikualifikimin e sheshit pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve 38 milion lekë
• Studim projektim për riorganizimin e linjave te transportit 800 mijë lekë
Ndërsa sa i takon infrastrukturës do të zbatohen këto projekte:
• Rehabilitimi i zonës nga rotonda Plepa deri në kryqezimin Shkozet Shkallnur 24 milion lekë
• Sistemim i KUB tek stacioni i trenit 10 milion lekë
• Rikonstruksion rruga tek sigurimet shoqërore 40 milion lekë
• Rikonstruksion rruga pas pallatit të kulturës 10 milion lekë
• Realizimi i sinjalistikës horizontale 5 milion lekë
• Vendosje e kapakeve plastike në pusetat e KUB 5 milion lekë
• Mbyllje e kanalit te Kashta e Kumtrit, në zonën e Spitallës 10 milion lekë
• Në njësitë administrative për infrastrukturë rrugore do të investohen 120milion lekë
• Për mbarëvajten e punëve në institucionet e varësisë blerje mjetesh 18.6 mln lekë
Përsa i takon programit arsim kulturë e sport, parashikimi i buxhetit 2016 është:
• Ndërtimi i kopshtit 7 Marsi me fond 47 milion lekë
• Rikonstruksion oborri i kopshtit Met Hasa 1 milion lekë
• Rikons. nyjet sanitare në shkollën B.Qeraxhia dhe mensa e shkolles B.Çela 5 milion lekë
• Blerje pajisje të kopshteve dhe konvikteve 560 mije lekë
• Rikonstruksionin i pishinës Publike, loti II 34 milion lekë
Në programin e strehimit është parashikuar në buxhet fondi prej 100 milionë lekësh për përfundimin e 128 banesave sociale me qera të ulët.
Për këto investime të parashikuara në buxhet përkatësisht për programin e infrastrukturës publike, arsimit - sportit, strehimit dhe administratës vendore është një total prej 695 milionë lekë. Tre zërat e rëndësishëm ku bazohen të ardhurat e bashkisë janë: Taksat e tarifat vendore arkëtimi i të cilave pritet të jetë 1.35 miliard lekë, këtu përfshihen taksa e ndërtesës, truallit, tokës bujqësore, e pasurisë së paluajtshme, ndërtimit në infrastrukturë, etj ndërsa në tarifat janë pastrimi, ndricimi, gjelberimi, etj. Zëri i dytë i rëndësishëm është transferta e pakushtëzuar 573 milion lekë si dhe zëri i tretë është transferta specifike e cila do të jetë 280 milion lekë. Totali i të trija këtyre zërave është 2.21 miliard lekë.