Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në ”Ditën Hungareze të Biznesit dhe Kulturës” që u zhvillua në Bashkinë e Durrësit. Fillimisht kryebashkiaku Vangjush Dako ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Hugarisë në vendin tonë Antal Heizer me të cilin ka bashkëbiseduar rreth forcimit të bashkëpunimit të mëtejshëm midis qytetit të Durrësit dhe Hungarisë në fushën e turizmit, sektorin ekonomik, atë të turizmit si dhe në hapat që do të ndërmerren për thithjen e investimeve hungareze në Durrës. Më pas në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Durrës është zhvilluar forumi i biznesit ku merrnin pjesë përveç kryebashkiakut Dako dhe ambasadorit Heizer edhe kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës Andrea Xhovara dhe binesmenë të njohur të qytetit si dhe specialistë të fushave të ndryshme. Qëllimi i këtij Forumi ishte rritja e bashkëpunimit midis kompanive Shqiptare dhe Hungareze pasi të dy vendet kanë ende shumë potencial ekonomik të pashfrytëzuar. Për këtë arsye, ky aktivitet shërbeu si një mundësi për të formësuar të ardhmen e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve. "Forumi i Biznesit dhe Dita Kulturore”, janë lançuar nga ambasada hungareze për herë të parë në qytetin e Durrësit për të vijuar edhe në qytete të tjera. Eventi i parë në Durrës kishte për qëllim të siguronte mundësite për të riafirmuar angazhimin për të intensifikuar bashkëpunimin në të gjitha fushat e ekonomisë në interesin më të mirë të të dy vendeve, veçanërisht në lehtësimin e bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve të ndersjellëta nëpërmjet projekteve konkrete të përbashkëta. Kompanite hungareze kanë referenca dhe teknologji konkurruese të njohura ndërkombëtarisht të cilat janë të rekomanduara dhe të domosdoshme për të siguruar përmirësimin e duhur të rajonit. Nga ana tjetër Banka Hungareze per Eksport-Import (EXIM) ofron financim te favorshëm dhe sigurim të produkteve të cilat janë kontribut i madh për zhvillimin e mëtejshëm të tregtisë dhe lidhjeve ekonomike ndërmjet bizneseve hungareze dhe shqiptare. Aktualisht, sipas statistikave hungareze vëllimi i eksportit nga Hungaria në Shqipëri u rrit me gati 40%, dhe në janar-nëntor të vitit 2015 arritën 63,5 milionë euro në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në këtë forum u theksua se ka shumë firma hungareze që kanë një ekspertizë të shquar per ta ndare me firmat shqiptare në rajon. Hungaria ka përgatitur projekte kyçe për qytetin e Durrësit në fusha të ndryshme si transporti, infrastruktura dhe energjia që mund të lehtësojë përmirësimin e shërbimeve të ofruara nga bashkia. Në fjalën e tij kryebashkiaku Dako deklaroi se institucioni ynë është i hapur  dhe mirëpret  sipermarrje të huaja që operojnë dhe drejtojnë me mentalitet te përparuar dhe falë tyre i japin një hov të ri shtimit të vendeve te reja të punës, stimulimit dhe rritjes të nivelit profesional dhe forcimit të kapaciteteve, trajnimit profesional të  të rinjve etj: ”Kam kënaqësinë  të  mirëpres sot në qytetin e Durrësit këtë  Forum të rëndësishmë ku ndërthuren  biznesi dhe kultura.  Përzgjedhja  e qytetit tonë   në promovimin e Biznesit dhe Kulturës  të shtetit mik Republikës së Hungarisë, na tregon qartë që Durrësi  përmbledh në vetvete një potencial të madh vlerash duke kontribuar  ndjeshëm në rrugën e Shqipërisë drejt  Integrimit në Bashkimin Europian. Durrësi sot  harmonizon suksesshëm  zhvillimin ekonomik dhe  atë shoqëror me ide të reja e me një vizion të ri. Sot po përballemi me realitetin e një tregu të globalizuar  ku gjithësecili nga ne mundet e duhet të ofrojë në mënyrë aktive kontributin e tij personal, entuziazëm dhe vendosmëri drejt  zhvillimit ekonomik, social dhe kulturor të vendit.  Në  vazhdën e  forcimit të maredhënieve me Republikën e Hungarisë , me organizimin  e këtij takimi  krijohen mundësi të  reja  në shfrytëzimin e potencialeve  ekonomike  dhe  kulturore të ndërsjellëta. Institucioni ynë është i hapur  dhe mirëpret  sipermarrje të huaja që operojnë dhe drejtojnë me mentalitet te përparuar dhe falë tyre i japin një hov të ri, shtimit të vendeve te reja të punës, stimulimit dhe rritjes të nivelit profesional dhe forcimit të kapaciteteve, trajnimit profesional të  të rinjve etj. Në fushën e kulturës  Bashkia Durrës ka  pasur fatin të realizojë edhe më parë  shkëmbime kulturore me Bashkinë e Budapestit. Në përfundim dëshiroj t’ju shpreh gadishmërinë dhe vullnetin tim,  e t‘ju siguroj që i gjithë potenciali njerëzor dhe institucional i qytetit tonë me sfidat e reja qe na presin drejt Integrimit në Bashkimin Europian, do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm  në promovimin e bashkëpunimit dhe forcimit të miqësisë me Republikën e Hungarisë.” Në Forumin e Biznesit ambasadori humgarez Heizer tha se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë mbështet shumë veprimtarinë e kompanive hungareze në rajonin e Ballkanit Perëndimor nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillim: ”Ne duam të forcojmë marrëdhëniet me Shqipërinë nëpërmjet bashkëpunimit në menaxhimin e ujit dhe të energjisë së rinovueshme, ushqim dhe bujqësi dhe sektorin e transportit. Ne mendojmë se bashkëpunimi ekonomik do të hyjë në një dimension të ri dhe do te prodhoje rezultate në të ardhmen e afërt. Ai gjithashtu theksoi se qëllimi i Hungarisë është të krijoje një strukturë midis ndërmarrjeve hungareze shqiptare dhe të ndihmoje në penetrimin e investimeve hungareze në tregun shqiptar.” Paralelisht me Forumin u zhvillua një foto-ekspozitë në Galerinë e Arteve Pamore ”Nikolet Vasia” me titull "Une dhe Budapesti”. Fotot janë realizuar nga fotografi i njohur shqiptar Roland Tasho dhe ekspozita është sponsorizuar nga Budapest Waterworks.