Në Shqipëri ka punë, por duhen profesionistë. Kështu, ka deklaruar ministri i Mirëqenies Sociale Blendi Klosi i cili së bashku me kryetarin e Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako kanë vizituar biznese fasone në qytetin e Durrësit: “Janë 25 subjekte, të cilat kanë kërkuar që me programin e nxitjes së punësimit të kenë mundësi të shtojnë fuqinë punëtorë. Nëse kemi realisht njerëz që synojnë të marrin një pozicion, atëherë në qarkun e Durrësit ekziston mundësia që të gjithëve mund t’i sigurohet një punë. Por që të kemi këtë punë duhet të kemi një zanat”, tha ministri Klosi. Duke vlerësuar programet e nxitjes së punësimit dhe rolin e biznesit durrsak, kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako i siguroi bizneset për mbështetje të vazhdueshme nga pushteti vendor, ndërsa për punonjëset e kompanive fasone premtoi lehtësim të kushteve të jetës përmes ngritjes së kopshteve dhe shkollave. Dako ftoi bizneset që të rrisin kapacitetet dhe vendet e punës dhe tha se ne jemi këtu për të mbështetur sipërmarrjen e lirë dhe për të lehtësuar biznesin me programe konkrete.