Një homazh për qindra e mijra të rinj e të reja shqiptare që u larguan me anije nga vendi, duke i dhënë grushtin e fundit diktaturës. Kështu u konsiderua fotoekspozita “Porti i Durrësit – 25 vjet pas Eksodit”, e cila u hap në galerinë e arteve pamore “Nikolet Vasia” të qytetit të Durrësit. Kjo veprimtari u organizua nga Autoriteti Portual, në bashkëpunim me Bashkinë Durrës dhe Agjencinë zyrtare të shtypit ATSH. Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako në fjalën e tij të rastit kujtoi ditët e trishtuara të marsit dhe gushtit të vitit 1991 jo vetëm për qytetin e Durrësit. Dako vlerësoi se në këto 25 vjet kanë ndodhur ndryshime pozitive si në portin e Durrësit, ashtu edhe në qytetin bregdetar. Sipas kryebashkiakut Dako, këto ndryshime pozitive do të vijojnë më tej me punën që po bëhet në dobi të qytetit dhe qytetarëve të Durrësit. Në ceremoninë e përurimit, ku morrën pjesë deputetë, drejtues të pushtetit vendor, përfaqësues të shoqatave, si dhe qytetarë durrsakë, drejtori i APD, Gazmend Shalsi, nënvizoi rëndësinë e atyre ditëve të marsit dhe gushtit 1991, kur nëpërmjet portit më të madh të vendit mijra shqiptarë u larguan në kërkim të një jete më të mirë. Ai vlerësoi bashkëpunimin me institucionet realizuese të ekspozitës, edhe për projekte të tjera në të ardhmen. Sipas drejtorit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Gëzim Podgorica, në arkivën e këtij institucioni gjënden materiale të shkruara si dhe foto që nga viti 1945. 25 fotot e paraqitura sot me logon e ATSH-së mbajnë firmën e fotografëve Gani Xhengo, Arben Çela dhe Mihal Progonati, dhe bashkë me ngjarjet e eksodit të vitit 1991 sjellin edhe momente nga puna në port gjatë viteve 1970-1980. Më pas të pranishmit vizituan eksponatet me foto nga eksodi i vitit 1991, si dhe me foto nga ajri, të realizuara nga fotografi i njohur Alket Islami. Ata ndoqën edhe pamjet filmike të eksodit të vitit 1991. Ngjarjet e marsit 1991, njëlloj si ato të korrikut 1990 dhe gushtit 1991 u fokusuan në portin më të madh të vendit, nga ku u nisën dhjetra anije dhe motopeshkatore me qytetarë shqiptarë kryesisht drejt brigjeve italiane.

Ekspozita solli për herë të parë foto të panjohura që fotografët e ATSH-së kanë fiksuar në celuloid në mars dhe në gusht të vitit 1991. Vizitorët e galerisë “Nikolet Vasia”, ku u çel ekspozita, përmes 25 fotove bardhezi ju rikthyen emocioneve të 25 vjetëve më parë, kur ndryshonte e ardhmja e vendit. Pamjet filmike të portit në vitin 1991 u shfaqën në një monitor, ndërsa në pjesën tjetër të galerisë u ekspozuan edhe fotot me pamje aktuale të portit të Durrësit.