Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i ka dhënë titullin “Nderi i Qytetit” një prej personaliteteve më të njohur në Durrës në fushën e arsimit profesor Sofokli Garo. Ky titull ju akordua profesor Garos nga shoqata Durrësi dhe Bashkia Durrës dhe ju dorëzua pikërisht në ditën e 7 Marsit festës së mësuesit. Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe kryetari i Qarkut Alfred Mullaraj si dhe shumë personalitete të qytetit të Durrësit. Kjo ceremoni ju dedikua profesorit të nderuar të qytetit të Durrësit Sofokli Garo, i cili me përkushtimin, profesionalizimin, dhe dashurinë ndaj punës ka arritur të spikasë ndër breza të rinjsh tek të cilët ka lënë gjurmë të pashlyeshme në dijet e tyre, duke lartësuar në këtë mënyrë jo vetëm emrin dhe punën e tij, por modelin e qytetarit durrsak që dita ditës bëhet më dinamik përkundrejt komunitetit dhe institucionit të dijes. Në fjalën e tij kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako deklaroi se kontributi i Sofokli Garos ka spikatur jo vetëm në qytetin e Durrësit, por edhe jashtë kufijve gjeopolitikë të vendit tonë, prandaj sot ne jemi krenar që i nderuari Sofokli Garo ka arritur të lërë gjurmë si qytetar i devotshëm dhe profesor i spikatur e që lartëson emrin e Durrësit edhe në Amerikë. Ndër të tjera kryebashkiaku Dako u shpreh se me publikimet e tij të konsiderueshme, punën administrative si drejtor shkolle, zv. rektor dhe dekan në Universitetin Aleksander Moisiu, shpërblimet nga Universiteti i North Dakotës në SHBA, e sigurisht punën e devotshme për perfeksionimin e metodave të mësimdhënies në Shqipëri, qyteti i Durrësit ka vendosur ti akordojë titullin Nderi i Qytetit. Të pranishmit që morën fjalën në ceremoni theksuan se profesor Sofokli Garo ka ditur më së miri ta konvertojë të gjithë profesionalizmin dhe pasionin e tij mbi botën e shifrave dhe paraleleve që hiqen brenda matematikës,  në një burim dijesh që sot manifestohen dukshëm tek shume nga ata që kane patur fatin të edukohen dhe rriten nëpërmjet mesimdhënies që profesor Garo ka përcjellë në shkolla, auditore dhe më gjerë, përkundrejt stafeve akademike që ai ka drejtuar .

Sofokli Garo ka punuar si asistent profesor në Universitetin e North Dakotës dhe lektor i jashtëm në universitetin e Minesotës në SHBA, lektor në universitetin A. Moisiu të Durrësit.

Po kështu Garo ka qenë dekan i fakultetit ekonomik të Universitetit të Durrësit dhe më pas zv/rektor i këtij universiteti. Garo ka 43 vjet karrierë në arsim, si mësues dhe drejtor i shkollave të mesme Naim Frashëri e Olsi Lasko në Durrës si dhe mëues në Lakota High School, SHBA, e më pas profesor në universitetet amerikane e atë të Durrësit ku ka mbajtur edhe detyrat e dekanit e të zv/rektorit. Ka qenë anëtar i shoqatës së matematikanëve amerikanë dhe i këshillit kombëtar amerikanë të mësuesve të matematikës. Për kontributin e tij në arsim është vlerësuar me medalje në Shqipëri dhe në Amerikë ku në Shqipëri ka marrë medaljen “Naim Frasheri” e Klasit të Parë, mësues i dalluar dhe mësues i vitit ndërkohë që në SHBA është vlerësuar me medalje nga universitetet e North Dakotës dhe Minesotës për kontributin e tij në mësimdhënie. Sofokli Garo është autor i shumë punimeve shkencore në SHBA dhe Shqipëri.