Është përkujtuar në Durrës 77 vjetori i rezistencës ndaj pushtimit Italian. Në ceremoni merrnin pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, kreu i qarkut Alfred Mullaraj, prefekti Roland Xhelilaj, deputetja Klodiana Spahiu, kreu i këshillit bashkiak Alban Ramohitaj, veteranë dhe shumë qytetarë durrsakë të cilët kanë bërë homazhe pranë bustit të Mujo Ulqinakut, ku kanë vendosur edhe kurora me lule. Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako u shpreh se Shqipëria ishte një vend i pasur me gra e burra idealistë dhe ata ishin krismat e para antifashiste në Evropë, ndërkohë që e gjitha bota rrezikohej nga çizmja e fashizmit. Sipas kryebashkiakut Dako kjo datë shënon edhe aktin më madhor e patriotik në emër të lirisë, të asaj lirie që u arrit me gjak e sakrifica nga ata bij e bija që, duke bërë detyrën ndaj atdheut, ngritën lart dinjitetin kombëtar, ruajtën pavarësinë e tij dhe e rreshtuan Shqipërinë përkrah aleancës antifashiste. Fjalën e rastit në këtë ceremoni përkujtimore e mbajti drejtori i arsimit, kulturës, rinisë, sporteve dhe komuniteteve fetare në Bashkinë e Durrësit Adrian Gurra i cili deklaroi: “Përkujtojmë sot ashtu si çdo vit 7 Prillin, nje ndër datat më historike për gjithë Shqipërinë dhe në mënyrë të veçantë për qytetin tonë.  Si sot 77vjet më parë, Italia fashiste pushtoi Shqipërinë duke u perballur me patriotët shqiptarë luftuan për liri dhe dinjitet.  Ne si qytetarë të Durrësit ndjehemi krenarë sepse qyteti ynë u kthye në një front të bashkuar duke u shndërruar në këtë mënyrë në një simbol të qëndresës kombëtare ndaj pushtimit fashist dhe Lufta Antifashiste, si një ndër faqet më të ndritura të historisë së popullit tonë, zë fill pikerisht ketu, në këtë shesh, ku ne sot, 77 vjet më pas, vijmë me një ndjenjë të lartë krenarie për të kujtuar ata që nuk kursyen as jetën e tyre për lirinë e atdheut. Në monumentin e Heroit të Popullit Mujo Ulqinaku qëndrojnë emrat e të rënëve që me gjakun e tyre u bënë luftëtarët dhe dëshmorët e parë të Rezistencës Antifashiste në Europë. Ne do ta kujtojmë përherë me krenari 7 Prillin si ditën e parë të Rezistencës Antifashiste në Shqipëri dhe sot kujtojmë dhe nderojmë të gjithe ata që, ndonëse në rreshtime politike të kohës, casti historik i gjeti me armë në dorë, përkrah njëri-tjetrit, në mbrojtje të vendit.” Mujo Ulqinaku dhe të gjithë patriotët e tjerë nga Durrësi por edhe nga qytete të tjera ishin të parët që e pritën me pushkë pushtuesin italian dhe në këtë luftë ra hero Ulqinaku por edhe dëshmorë të tjerë. Në rezistencën kundër nazifashistëve u bashkuan në mënyrë masive banorët durrsakë dhe patriotë të ardhur nga çdo anë e vendit. Në këtë ceremoni u shpreh respekti dhe mirënjohja për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë dhe që sakrifikuan deri edhe jetën e tyre për lirinë e vendit.