Me rastin e 5 Majit, ditës së nderimit për të rënët e kombit shqiptar Bashkia e Durrësit ka organizuar aktivitet përkujtimor në Mauzoleumin e Dëshmorëve në Durrës. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë nënkryetari i Bashkisë së Durrësit Zhuljen Varfaj, prefekti i Durrësit Roland Xhelilaj, kryetari i qarkut Alfred Mullaraj, deputetë të Durrësit, zyrtarë vendorë dhe qindra veteranë e qytetarë të Durrësit. Në respekt të veprës heroike të këtyre dëshmorëve e heronjve nënkryetari i Bashkisë së Durrësit Zhuljen Varfaj ka vendosur kurora me lule në vendin ku ndodhen pllakat përkujtimore të të rënëve për liri. Po kështu kanë zhvilluar homazhe edhe veteranë, deputetë, përfaqësues të pushtetit vendor, përfaqësues të besimeve fetare dhe shumë qytetarë durrsakë. Të gjithë të pranishmit kanë parakaluar përpara pllakave përkujtimore të heronjve dhe dëshmorëve të Durrësit. Drejtori i arsimit kulturës rinisë dhe sporteve në Bashkinë e Durrësit Adrian Gurra në fjalën e rastit u shpreh se të gjithë përkulen me nderim përpara aktit heroik të atyre njerëzve që dhanë jetën për lirinë e vendit: “Si çdo 5 maj jemi mbledhur këtu në Mauzoleumin e Dëshmorëve për të kujtuar aktin heroik të të rënëve për lirinë e Atdheut, të asaj lirie që u arrit me aq mund e sakrifica nga bijtë dhe bijat më të mira të popullit tonë. Me idealin e tyre për të pasur një Shqipëri të lirë ata nderuan dhe ngritën lart dinjitetin e një kombi të tërë në luftë kundër okupatorëve duke shkruar një ndër faqet më të ndritura të historisë së popullit tonë.” Në këtë aktivitet përkujtimor u shpreh respekti dhe mirënjohja për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë dhe që sakrifikuan deri jetën e tyre për lirinë e vendit.