Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka zhvilluar një vizitë në kroçerën Thomson Celebration” që ka mbërritur në portin e Durrësit me turistë kryesisht nga Britania e Madhe. Në këtë vizitë ai është pritur nga kapiteni i kroçerës Hugh Maynard. Në këtë takim merrte pjesë edhe kapiteni i përgjithshëm i porteve të Shqipërisë Paulin Ndreu. Gjatë takimit të zhvilluar me kapiteni e anijes  kryebashkiaku Dako  pasi u ka shprehur mirëseardhjen në Durrës, e ka njohur kapiteni e anijes me resurset e shumta që ofron qyteti i Durrësit në të gjitha planet. Gjithashtu ai ka bërë edhe një ekspoze të shkurtër të vlerave të rralla historike dhe arkeologjike që ka qyteti ynë. Po kështu kryebashkiaku Dako ka shprehur kënaqësinë që qyteti i Durrësit ndodhet në itinerarin e shumë krocerave gjë që dëshmon për imazhin tepër pozitiv turistik të qytetit. Kapiteni Maynard nga ana e tij ka shprehur kënaqësinë që ndodhet në një qytet si Durrësi duke deklaruar se tashmë ky qytet do të jetë në itinerarin e përhershëm të kësaj krocere. Ai falenderoi gjithashtu kryebashkiakun Dako për mikpritjen e ngrohtë që i ka bërë qyteti turistëve të huaj. Anija turistike, e cila vjen për herë të parë në qytetin bregdetar ka në bord 1224 turistë kryesisht nga Britania e Madhe. Pas zbritjes në Durrës, një pjesë e turistëve kanë udhëtuar të organizuar me autobuza drejt qyteteve historike të Krujës e Beratit, si dhe drejt Tiranës. Shumë prej turistëve të tjerë kanë vizituar qendrat arkeologjike dhe muzeale të Durrësit. Kroçera “Thomson Celebration” me gjatësi 215 metra dhe tonazh të përgjithshëm 34 mijë ton ka flamur maltez. Ajo vjen nga Korcula (Kroaci) në kuadër të një turi adriatiko-jonian dhe do të vijojë lundrimin drejt portit të Dubrovnikut (Kroaci). Kjo është anija e katërt turistike e këtij sezoni. Deri në muajin nëntor në portin e Durrësit pritet të mbërrijnë edhe 18 kroçera të tjera me turistë nga i gjithë globi.