Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, Zv.Kryeministri Niko Peleshi, ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi dhe ai i Bujqësisë Edmond Panariti, si dhe përfaqësues të tjerë të bujqësisë morën pjesë në konferencën “Agroturizmi një vlerë e shtuar ekonomike, sociale  dhe mjedisore”-Agroturizmi në Durrës dhe sfidat në shtrirjen e re territoriale që u zhvillua në resortin agroturistik “Agrotorism Huqi”, i ndërtuar nga fermeri i zonës Gëzim Huqi, në zonën e Radës në Manzë të Durrësit. Duke marre fjalen kreu i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako shprehu mbeshtetjen e institucionit qe ai drejton ne adresimin e politikave dhe projekteve që nxisin zhvillimin e bujqësisë: “Agroturizmi është veprimtari e re për turizmin dhe bujqësinë. Kemi potenciale për zhvillimin e mëtejshëm. Shumë shpejt do zgjidhim problemet e tokave bujqësore në këtë zonë. Do i japim mbështetje sa më të madhe bujqësisë. Territorit urban të Bashkisë u janë shtuar edhe zonat rurale që janë kurora e gjelbër e saj. Organizimi i ri territorial ka shtuar mundësitë për të pasuruar veprimtaritë tona ekonomike, kulturore , sociale dhe mjedisore. Integrimi më i mirë mes zonave urbane me ato rurale do të rrisë forcën ekonomike të territorit që mbulon Bashkia Durrës. Organizimi i ri do t’i japë një shtysë të re zhvillimit të prodhimit bujqësor dhe blegtoral në territorin tonë. Bashkia do t’ju jetë gjithmonë në krah për përmirësimin e infrastrukturës në përgjithësi, si të asaj rrugore, të ujitjes dhe kullimit, shtimin e marketingut të produkteve bujqësore, rritjen e kapaciteteve të përpunimit, përmirësimit të nivelit të edukimit nëpër shkolla dhe vetë agroturizmit, këtij potenciali të madh që ende nuk është shfrytëzuar plotësisht etj. Veprimtaria me temë Agroturizmin është një veprimtari që kompaktëson bashkëpunimin mes aktorëve për mirëmenaxhimin e burimeve natyrore, historike, kulturore, mjedisore dhe njerëzore të territorit tonë. Jam i sigurtë se kjo hapësirë ekonomike do të bëhet një shtëpi e madhe pritjeje për turistët vendas dhe të huaj. Durrësi prej dekadash ka qenë një model i madh në prodhimin bujqësor. Tani në kushtet e ekonomisë së lirë të tregut i kemi të gjitha mundësitë ta gjallërojmë këtë përvojë dhe ta çojmë akoma më tej. Modeli i madh pozitiv i shkon përshtat Durrësit tonë të bukur me histori mbi 3000 vjeçare. Ne angazhohemi se së bashku do ta bëjmë të tillë, më të bukur, më të fortë, më të dashur si për vendasit dhe për miqtë tanë që i kemi kudo në botë.” ka thënë kryebashkiaku Dako. Duke marrë fjalën në këtë takim, Zv.Kryeministri Peleshi vlerësoi këtë sipërmarrje si modelin që tregon se bujqesia dhe agroturizmi, po zhvillohen duke kontribuar në rritjen ekonomike te vendit  “Shqipëria ka bërë progres në fushën e bujqësisë. Ndersa  vendi ka potenciale të mëdha dhe reformat e qeverisë po japin  rezultate për jetën e komunitetit. Rilindja është bashkësia e këtyre mrekullive të vogla në gjithë vendin, vijoi ai, ndersa vuri ne dukje se, Shqipëria eshte vendi i njerëzve të punës, jo fjalëve, por veprave. Ai solli ne vemendje rezultatet pozitive qe ka arritur ky sektor ku nenvizoi se, kontributi i bujqesise ne GPP arrin sotne 19% dhe mbi 50% e popullsise jeton ne zonat rurale. “Misioni ynë është zgjidhja e problemeve. Të vlerësojmë më shumë ekspertët e vjetër. Shqipëria ka bërë progres në rrugën e bujqësisë dhe ajo ka pasuri të shumta, të cilat duhet të shfrytëzojmë potencialet tona. Pa reformë territoriale ne nuk do mund të hartonim strategji që përfshijnë potencialet që i kalojnë kufinjtë e një komune, por i gjejmë brenda kufijve të një bashkie”, -theksoi Peleshi. Ndërsa, Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti tha se, “Qeveria ka dhënë mbështetje për bujqësinë. Martesa më e zgjuar e bujqësinë është ajo me turizmin. Zhvillimi i turizmit, zhvillon bujqësinë. Ky është një model frymëzues që ka tërhequr vëmendjen e zonës por edhe Shqipërisë”. Ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi deklaroi: “Besoj se do të gjenden pafundësisht mënyra për të bashkëpunuar dhe për të nxitur iniciativën, për të kuptuar se ku mund të jenë  sinergjitë midis jush dhe të tjerave të ngjashme si ju por edhe për programe mbështetjeje që vijnë nga qeveria.” Aktiviteti vijoi me vizitën në panairin e produkteve bujqësore të zones,  të servizuara në resortin agroturistik, ne Manzë te Durrësit.