Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka nderuar me tituj nderi ambasadorin italian Alberto Cutillo dhe dy personalitete të fushës së biznesit në Festën e Detit që tashmë është një traditë e bukur në Durrës. Ky aktivitet organizohet çdo vit nga shoqata Durrësi me mbështetjen e Bashkisë së Durrësit. Fillimisht kryebashkiaku Vangjush Dako ka pritur në zyrën e tij ambasadorin italian Alberto Cutillo me të cilin ka biseduar kryesisht për miqësinë e ngushtë dhe bashkëpunimin intensiv midis dy vendeve ndërkohë që temë kryesore ka qenë edhe turizmi dhe zhvillimi i tij në Durrës. Aktiviteti është zhvilluar në sallën e këshillit bashkiak të Durrësit ku në një ceremoni të veçantë kryebashkiaku Vangjush Dako i ka dorëzuar titullin “Simbol i qytetit të Durrësit” ambasadorit italian në Shqipëri, Alberto Cutillo. Në këtë ceremoni kanë qenë të pranishëm edhe prefekti i Durrësit Roland Xhelilaj, personalitete të fushave të ndryshme dhe qytetarë të Durrësit. Pas marrjes së titullit e ka marrë fjalën ambasadori italian i cili ka falenderuar kryebashkiakun për titullin e nderit duke deklaruar:” Ju falenderoj që më nderuat me një titull të tillë. Ne jemi dy popuj me lidhje dhe bashkëpunime të ngushta dhe me aktivitetin tonë të përbashkët ne do të kontribuojmë për forcimin e mëtejshëm të miqësisë midis dy vendeve tona. Natyrisht vendi im Italia ka dhënë dhe do të japë kontributin e saj të rëndësishëm që Shqipëria të integrohet sa më shpejt në BE gjë që është aspirata më e madhe e vendit tuaj.” Po kështu kryebashkiaku Dako u ka dorëzuar titujt Nderi i Qytetit edhe dy biznesmenëve Maliq Mullai, president i kompanisë Oneda dhe Shefqet Billa, president i kompanisë Billa. Kryebashkiaku Dako në fjalën e tij deklaroi se ne nderojmë jo vetëm ambasadorin por të gjithë popullin italian me të cilin kemi një miqësi të fortë ndërkohë që për titujt dhënë biznesmenëve kryebashkiaku Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit gjithmonë do të vlerësojë njerëzit e punës që japin kontribut për qytetin: “Ky titull nuk i jepet vetëm ambasadorii italian por me këtë tiull nderojmë popullin italian me të cilin vendi ynë por në veçanti qyteti i Durrësit ka një miqësi të ngushtë dhe është kjo miqësi dhe bashkëpunim i ngushtë mes dy vendeve që konkretizohet me tituj dhe me aktivitete të tilla. Miqësia midis Durrësit dhe popullit italian është mjaft e fortë dhe ne duhet që të punojmë për forcimin edhe më shumë të lidhjeve dhe miqësisë midis dy brigjeve që deti nuk i ndan por i bashkon. Po kështu në këtë ceremoni ne nderojmë edhe dy biznesmenë për të dhënë mesazhin brezit të ri por edhe të gjithëve që ne dimë ti vlerësojmë njerëzit e punës. Ne si Bashki do vazhdojmë ti vlerësojmë gjithmonë njerëzit e punës për kontributin që ata japin për ekonominë e qytetit.” Më pas Festa e Detit ka vijuar në sallën e pallatit të kulturës A.Moisiu ku të pranishmit kanë ndjekur një program artistik me këtë rast. Festa e Detit është një festë tradicionale e qytetit të Durrësit ku midis të tjerash nderohen edhe shumë personalitete që kanë kontribuar dhe kontribojnë në dobi të qytetit dhe qytetarëve të Durrësit.