Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka përuruar bustin e personalitetit të madh kombëtar Fan Noli, i cili është vendosur në hyrje të rrugës që mban emrin e tij dhe pranë Kishës Ortodokse të Durrësit. Realizimi i këtij busti është bërë i mundur nga Bashkia e Durrësit në bashkëpunim me Kishën Ortodokse Autoqefale të qytetit si dhe klubin e shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit. Në ceremonë e rastit merrnin pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, prefekti Roland Xhelilaj, përfaqësuesi i Kishës Ortodokse të Durrësit at Gjerasin Çakalli, rektorja e Universitetit të Durrësit Kseanela Sotirofski, kreu i klubit të shkrimtarëve dhe artistëve të qytetit Nikollë Spathari, shkrimtari dhe akademiku i njohur Nasho Jorgaqi, personalitete dhe qytetarë të Durrësit. Busti i Fan Nolit është një vepër e çmuar e skulptorit të njohur Idriz Balani. Një krijim mjeshtëror ku autori falë njohjes dhe studimit të thellë të figurës ka arritur të kapë dhe të mishërojë jo vetëm veçoritë fizike të Nolit por mbi të gjitha karakterin, personalitetin kompleks, njeriun dhe udhëheqësin, mendimtarin dhe artistin, shqiptarin dhe qytetarin e botës. Portreti i Nolit i derdhur në bronz duke pasur për sfond shtëpinë e tij shpirtërore do të mbetet sa dëshmi historike aq edhe një vepër artistike e goditur që zbukuron qytetin e lashtë të Durrësit. Kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi se nëpërmjet vendosjes së këtij busti por edhe dhënies së titullit qytetar nderi, Bashkia dhe i gjithë qyteti i Durrësit nderon Fan Nolin, një personalitet kombëtar dhe një prej figurave emblematike të historisë dhe kulturës shqiptare si dhe frymëzuesin e themeluesin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Durrësi – shtoi kryebashkiaku Dako- ka qenë pjesë e pandarë e jetës së Fan Nolit si atdhetar, burrë shteti dhe udhëheqës shqpirtëror. Pas ceremonisë pranë Kishës Ortodokse është zhvilluar edhe një simpozium i organizuar nga klubi i shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit ku merrnin pjesë historianë, shkrimtarë dhe studiues dhe ku personalitete të letrave si Nasho Jorgaqi apo shkrimtarë dhe historianë të tjerë kanë folur gjerësisht rreth figurës dhe personalitetit të shquar kombëtar Fan Noli. Në këtë simpozium është dorëzuar edhe titulli “Qytetar Nderi i Durrësit” për këtë figurë të shquar me motivacionin: “Personalitet i shquar kombëtar, mitropolit i Durrësit dhe një ndër kontribuesit më kryesorë në drejtim të ringjalljes dhe ringritjes kishtare në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë, meshtar, predikues dhe lider shpirtëror që zgjodhi qytetin tonë për mbajtur meshën e parë në gjuhën amtare.” Fan Noli një nga personalitetet më të shquar të kombit shqiptar ka zhvilluar një aktivitet të ngjeshur në Durrës ku ai mbajti edhe meshën e parë në gjuhën shqipe. Noli mbante titullin kryepeshkop i Durrësit, Tiranës, Elbasanit, Gorës dhe Shpatit, primat dhe ekzark i Ilirisë dhe gjithë Shqipërisë. Mitropolia e ngritur pranë vendit ku ndodhet sot kisha ortodokse u bë selia zyrtare dhe shtëpia e tij në vitet 1921-1924 ku ai jo vetëm do të banonte por edhe do të zhvillonte veprimtarinë  e tij kishtare dhe social politike. Qëllimi i tij ishte ta bënte dioqezën e Durrësit qendër dhe shembull për dioqezat e tjera duke i kthyer qytetit nga kjo pikëpamje lavdinë e dikurshme dhe për ti kujtuar botës se krishtërimi në Shqipëri ishte apostolik. Gjatë kohës së qëndrimit në Durrës, Noli bënte jetë të gjallë kishtare nëpërmjet meshimeve dhe ceremonive që zhvillonte në Kishën e Shën Spiridhonit dhe nga ana tjetër kryepeshkopi dhe deputeti do të bënte takime duke pritur e përcjellë politikanë e diplomatë. Ky personalitet i lartë do të ndjehej një qytetar shumë i nderuar në Durrës i rrethuar nga miqtë e kolegët e për më tepër nga bashkëqytetarët durrsakë që do ti kujtonte tërë jetën me nostalgji dhe mirënjohje. Por edhe Durrësi e ruan në historinë e vet ashtu sic do të jetonte e jeton akoma në kujtimet dhe zemrat e durrsakëve. Kjo ishte arsyeja që Durrësi i ngre bashkëqytetarit të tij të nderuar një bust ku është skalitur imazhi i pavdekshëm i shqiptari të madh Fan Noli.