Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim ambasadoren e Kroacisë në vendin tonë Sanja Bujas-Juraga. Ambasadorja kroate shoqërohej në këtë takim nga deputetja e parlamentit kroat Ermina Lekaj Prljaskaj, presidenti i këshillit kombëtar të minoritetit shqiptar në qarkun e Primorjes dhe Gorski Kotar, Gani Xharrahi dhe presidentja e këshillit të qytetit të Rijekës, Dorotea Pesic Bukovac. Tema kryesore e bisedës në këtë takim ishte intensifikimi i marrëdhënieve midis dy vendeve dhe bashkëpunimi konkret i Durrësit me qytetet bregdetare kroate pasi ekziston një potencial i madh për bashkëpunim intensiv edhe në nivelin e rajoneve dhe bashkive që shërben si një impuls i fuqishëm për zhvillimin e bashkëpunimit në fusha e tregtisë, ekonomisë, turizmit, kulturës dhe arsimit. Po kështu kryebashkiaku Dako dhe ambasadorja kroate Bujas Juraga kanë diskutuar gjerësisht lidhur me vendosjen e bashkëpunimit midis Durrësit dhe porteve kroate veçanërisht me portin e Rijekës ku do të fillojnë hapat konkretë për mundësinë e vendosjes së një linje trageti. Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i ka bërë ambasadores kroate Sanja Bujas-Juraga një ekspoze të hollësishme në lidhje me qytetin e Durrësit dhe historinë e tij, stadin aktual të zhvillimit si dhe me punën e Bashkisë në drejtim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve të Durrësit në sajë të investimeve të shumta.  Kryebashkiaku Dako është ndalur veçanërisht në sektorin ekonomik si dhe në fushën e turizmit duke e njohur ambasadoren me llojet e turizmit që ofron Durrësi, jo vetëm për plazhin por edhe turizmin arkeologjik, kulturor etj. Dako deklaroi se Durrësi ka çfarë tu ofrojë investitorëve të huaj dhe konkretisht edhe atyre kroatë në të gjithë sektorët ekonomikë. Nga ana e saj ambasadorja kroate Sanja Bujas-Juraga ka falenderuar kryebashkiakun Dako për pritjen dhe ka biseduar gjatë në lidhje më shumë fusha si dhe me perspektivat e bashkëpunimit të gjithanshëm midis Durrësit dhe rajoneve të Kroacisë. Ambasadorja kroate deklaroi se ka një frymë miqësie të fortë mes dy vendeve dhe jo vetëm biznesi kroat por edhe turistët kroatë kanë një interes të madh për Shqipërinë dhe një linjë detare midis Durrësit e Rijekës do të ishte një urë lidhëse e rëndësishme për lehtësimin e udhëtimit të qytetarëve por edhe të turistëve të dy vendeve.