Për 5 ditë me radhë qyteti i Durrësit do të jetë vëmendja letrare mbarëkombëtare, vend i cili është zgjedhur për të zhvilluar "Panairin Ndërkombëtar të librit shqip". Organizatorët e aktivitetit më të rëndësishëm letrar Shoqata kulturore artistike "DURANA" dhe Bashkia e Durrësit, kanë konfirmuar pjesmarrjen e rreth 80 shtëpive botuese  nga 7 vende të ndryshme.

Aqif Hysa, në pozicionin e drejtuesit kryesor të këtij eventi dhe përfaqësues i shoqatës "DURANA",  gjatë konferencës për median ka bërë të ditur se "Janë rreth 80 shtëpi botuese nga Shqipëria dhe 7 vende të tjera ku botohen libra shqip,  që janë bërë pjesë  e Panairit Ndërkombëtar të Librit, i cili do të mbahet nga data 2 deri më 7 gusht, përgjatë Shëtitores "Taulantia". Jemi të entuziamuar nga përgjigja pozitive  e menjëhershme që kanë treguar shtëpitë botuese që botojnë në shqip kudo ku ato operojnë jashtë Shqipërisë. Synimi i këtij Panairi është ruajtja dhe përhapja e gjuhës së bukur shqipe në trevat shqipfolëse nëpërmjet librit dhe ajo që ka më shumë rëndësi është se ky panair I shërben shkëmbimit të vlerave. Ftojmë të gjithë pushuesit, vizitorët, qytetarët, që do të jenë përgjatë këtyre ditëve në Durrës që të afrohen sado pak me librin. Ky panair ka për qëllim të krijojë një ngjarje kulturore parësore për qytetin e Durrësit, vizitorët e tij, turistët vendas dhe të huaj, duke e lidhur ngushtësisht librin me turizmin përmes një Panairi tematik, i pari i këtij lloji për këtë qytet ".

Ndërkohë, Adrian Gurra, Drejtor i Kulturës, Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, në Bashkinë e Durrësit ka pohuar se Panairi Ndërkombëtar i Librit është një ndër ngjarjet më të rëndësishme të këtij sezoni veror, për qytetin e Durrësit. " Bashkia e Durrësit e ka mirpritur me kënaqësi ftesën e organizatorëve për bashkëpunim për këtë aktiviteti të rëndësishëm për librin shqip. Kjo është një ngjarje kulmore për qytetin e Durrësit dhe gjithë qytetarët e saj. Më vjen mirë që ky projekt u konkretizua, falë profesionalizmit dhe punës së bërë nga organizatorët. Gjuha shqipe është baza e identitetit tonë kombëtar dhe ku më mirë se libri shqip ne mund të sjellim përqasjen më frytdhënëse nëpërmjet promovimit tonë kulturor."

Panairi Ndërkokombëtar i Librit Shqip do të hapet ditën  e martë, ku mbi 70 shtëpi botuese nga 7 vende si Shqipëria, Greqia, Italia, Kosova, Maqedonia, Mali Zi, Rumania, do të promovojnë librat shqip për të gjithë të apasionuarit pas letërsisë shqipe. Ky panair ka për qëllim promovimin e artit dhe kulturës nëpërmjet aksit Durrës-Tiranë. Panairi do të qëndrojë i hapur  për 5 ditë nga ora 18:00 deri në orët e vona të natës , në shëtitoren "Taulantia".