Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka zhvilluar një takim me delegacionin e nivelit të lartë kinez që ka vizituar Durrësin i kryesuar nga Zhao Hongzhu, Sekretari i Sekretariatit te Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe Zv/Sekretari Komitetit Qendror të Partisë Komuniste  për Inspektim Disiplinor te PKK. Në përbërje të këtij delegacioni ishin edhe dy ministra të qeverisë kineze ndërkohë që delegacioni shoqërohej edhe nga ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë znj. Jiang Yu. Zhao Hongzhu ka falenderuar kryebashkiakun Vangjush Dako për pritjen dhe ka biseduar gjatë me kryebashkiakun në lidhje më bashkëpunimin në shumë fusha me Kinën si dhe me rritjen e interesimit të biznesit kinez përsa i përket shumë sektorëve në Durrës por edhe në të gjithë vendin. Nga ana e tij kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako  i ka bërë z.Hongzhu  një ekspoze të hollësishme në lidhje me qytetin e Durrësit dhe historinë e tij, stadin aktual të zhvillimit si dhe me punën e Bashkisë në drejtim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve të Durrësit në sajë të investimeve. Kryebashkiaku  Dako është ndalur veçanërisht në sektorin ekonomik ku ka përshkruar rolin e rëndësishëm në ekonominë e të gjithë Shqipërisë të portit të Durrësit. Kryebashkiaku Dako është shprehur se Durrësi ka cfarë ti ofrojë investitorëve të huaj dhe në këtë këndvështrim ai ka kërkuar një nxitje më të madhe të investitorëve kinezë për të investuar në Durrës. Kryebashkiaku Dako është ndalur edhe në fushën e turizmit duke i njohur zyrtarët kinezë me llojet e turizmit që ofron Durrësi, jo vetëm për plazhin por edhe turizmin arkeologjik, kulturor etj. Dako deklaroi se turizmi është një prioritet i Bashkisë ku synohet nxitja e investimeve vendase dhe të huaja. Kryebashkiaku Dako theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve duhet forcuar edhe më shumë dhe ai shtoi Bashkia e Durrësit ka marrëdhenie shumë të mira me R.P.te Kinës dhe këto marrëdhënie janë të konkretizuara dhe në dy marrëveshje bashkëpunimi me dy bashki të Kinës dhe pikërisht me Bashkinë e Ningbo dhe të Shantout. Nga ana e tij Sekretari i Sekretariatit te Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës Zhao Hongzhu, deklaroi se qëllimi i kësaj vizite ishte nxitja dhe forcimi i bashkëpunimit midis qeverisë kineze dhe Shqipërisë. Z.Hongzhu ka diskutuar konkretisht rreth bashkëpunimit të mëtejshëm të bashkisë së Durrësit me dy bashkitë kineze me të cilat është lidhur memorandumi i bashkëpunimit si dhe ka ftuar kryebashkiakun Dako për një vizitë në Kinë. Në fund të takimit  i cili kaloi në një frymë shumë miqësore, z.Dako dhe z. Hongzhu shkëmbyen dhuratat e rastit ku kreu i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i dhuroi zyrtarit të lartë kinez një punim artistik artizanal të veçantë ku ishin të gdhendura disa nga simbolet e qytetit të Durrësit ndërsa z.Hongzhu i dhuroi kryebashkiakut Dako një punim tradicional artizanal kinez. Më pas delegacioni i Republikës Popullore të Kinës ka vizituar amfiteatrin e Durrësit dhe qytetin bregdetar.