Përfaqësues të studiove projektuese kanë prezantuar në një panel të zgjeruar planin e  përgjithshëm vendor për rajonin Durrës-Shijak-Vorë. Urbanisti Luciano Aletta, përfaqësues i firmave Dogma, Latitude platform, Milan Ingegneria dhe arkitekti Ermal Bleta i Studios B&L kanë prezantuar, duke e ndarë në 13 sektorë dhe kapituj zhvillimin e pritshëm të Durrësit, sipas ndarjes së re administrativo-territoriale. Ky takim është konsultimi i katërt publik në lidhje me këtë plan. Në këtë dëgjesë merrte pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, zyrtarë të lartë të administratës vendore e qëndrore, të gjithë projektuesit, studentët, firmat e ndërtimit, shoqatat, institucionet, O.J.F., grupet e interesit që operojnë në territorin e Bashkisë Durrës si dhe qytetarët që ishin të interesuar në mundësitë e zhvillimit të qytetit në vitet e ardhshme.  Kryebashkiaku Dako në fjalën e tij deklaroi se ky është një plan mjaft i rëndësishëm për zhvillimin e qytetit në të ardhmen dhe se implementimi i tij mund të fillojë që në muajin nëntor. Po kështu kryebashkiaku Dako i bëri thirrje grupeve të interesit por edhe qytetarëve që të jenë sa më aktivë në vërejtjet dhe sugjerimet lidhur me këtë pan në mënyrë që zbatimi i këtij plani të jetë sa më shumë në përputhje me interesat e qytetarëve të Durrësit. Në këtë dëgjesë publike është prezantuar faza e tretë e këtij plani që është: ‘’Plani i Zhvillimit Territorial dhe Rregullorja Lokale’’ për Bashkinë Durrës. Urbanisti italian Luciano Aletta foli për zhvillimin e rajonit si e kanë menduar arkitektët e studiove që po punojnë së bashku, për propozimet konkrete të zhvillimit sipas boshteve ideore të tyre dhe ndërthurjen e elementëve të peisazheve të bukura kodrinore, ruajtjen e bregdetit, sidomos në pjesën veriore, si dhe rikthimin e një bujqësie të zhvilluar në zonat fushore. Në lidhje me sektorin e bujqësisë, raportohet se ajo ka pësuar rënie të prodhimit me 70 % në 20 vitet e fundit dhe potencialet për zhvillimin e saj janë shumë të mëdha. Ndërtimet e pakontrolluara nuk duhet të vazhdojnë më, por propozohet konsolidimi i zonës historike të qytetit të Durrësit në zonën e amfiteatrit dhe murit të kalasë. Po kështu nuk sugjerohet shtrirja e mëtejshme e qytetit, por shtimi i dendësisë aty ku ka mundësi. Arkitektët propozojnë ruajtjen e peisazhit kodrinor dhe zhvillimin e një turizmi të butë. Gjithashtu, theks i veçantë i është dhënë zonës portuale, e cila propozohet t’i rikthehet qytetit dhe qytetarëve, siç duhet të jetë në çdo qytet bregdetar europian. Kjo do të sjellë spostimin e trajtimit të mallrave në portin e ri në veri të qytetit. Të pranishmit kanë bërë pyetje që lidhen me këtë plan, i cili po kalon në fazën e tij të fundit të konsultimit publik, ku më parë është konsultuar me banorët e çdo rajoni të Durrësit e më pas janë zhvilluar edhe tre dëgjesa publike me grupet e interesit dhe banorët e qytetit. Bashkia Durrës i është bashkuar nismës së hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor për gjithë-përfshirjen e territorit në administrim të saj. Në dëgjesën e parë publike është bërë prezantimi publik për fazën e analizës së territorit, të bërë nga studiot. Në të  dytën është bërë konsultimi publik për fazën e strategjisë territoriale, me pjesmarrjen e grupeve të interesit dhe aktorëve të tjerë institucionalë të qytetit, në tretën studio e projektimit të Planit të ri të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Durrës, bëri prezantimin e fazës së 2-të:‘’Strategjia Territoriale dhe Plani i Veprimeve Strategjike/Prioritare, Investimet Kapitale dhe Projektet Pilot të Zhvillimit për Bashkinë Durrës’’. Dëgjesa e datës 5 shtator ishte për fazën përmbyllëse të këtij dokumenti kyç për zhvillimin përgjatë viteve të ardhshme të qytetit të Durrësit, përpara se të fillojë faza e miratimeve nga institucionet përkatëse dhe të marrë kështu formën përfundimtare për zbatim.