Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako është takuar me princin Sultan bin Salma bin Abdulaziz Al-Saud i cili është President i Bordit të Komisionit për Turizëm dhe Trashëgiminë Kulturore të Arabisë Saudite. Princi i Arabisë Saudite Sultan bin Salma bin Abdulaziz Al-Saud erdhi për një vizitë në Durrës dhe takimi me kryebashkiakun Dako u krye në Muzuen Arkeologjik të Durrësit ku princi saudit është shfaqur shumë i interesuar për antikitetin dhe vlerat e rralla që ekspozohen në këtë muze e po kështu ka shprehur interes për vlerat dhe resurset arkeologjike dhe kulturore të Durrësit. Nga ana e tij kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako  i ka bërë princit të Arabisë Saudite një ekspoze të hollësishme në lidhje me qytetin e Durrësit dhe historinë e tij, stadin aktual të zhvillimit si dhe trashëgiminë e pasur kulturore të qytetit tonë. Kryebashkiaku Dako është ndalur edhe në fushën e turizmit duke e njohur princin Al-Saud me llojet e turizmit që ofron Durrësi, jo vetëm për plazhin por edhe turizmin arkeologjik, kulturor etj. Dako deklaroi se zhvillimi i mëtejshëm i turizmit është një prioritet i Bashkisë që ai drejton. Princi i Arabisë Saudite Sultan bin Salma bin Abdulaziz Al-Saud ka vizituar gjithashtu edhe xhaminë e Durrësit. Më pas princi saudit dhe kryebashkiaku Dako kanë zhvilluar një vizitë në amfiteatrin e Durrësit. Vizita në Durrës e princit të Arabisë Saudite Sultan bin Salma bin Abdulaziz Al-Saud është mbyllur me një drekë pune me kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako.