Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Bashkia e Durrësit organizuan në Shtëpinë e Pushimit në Durrës, kampin e fëmijëve në situatë rruge. Rreth 40 fëmijë të evidentuar si fëmijë në situatë rruge, janë evidentuar dhe kontaktuar nga njësitë për mbrojtjen e fëmijëve, duke punuar në mënyrë të njëkohshme edhe me prindërit e tyre për punësim. Përgjatë një jave këta fëmijë që detyrohen të lypin apo punojnë , kanë qenë pjesë e këtij kampi, ku jo vetëm janë argëtuar me lojëra të ndryshme, por është punuar edhe për parapregatitjen e tyre për fillimin e shkollës. Përgjatë kësaj periudhe janë kontaktuar prindërit e tyre, duke i asistuar dhe orientuar për të gjetur punë pranë zyrave  të punës. Disa nga prindërit janë punësuar, duke shënuar raste të reja suksesi me zbutjen sa më shumë të këtij fenomeni. Në aktivitetin përmbyllës të kampit të quajtur “ Ishulli i thesarit”, ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi vuri theksin tek përpjekja e madhe që po bëhet për zgjerimin e strukturave që merren me këta fëmijë, të detyruara tashmë të ngrihen me ligj edhe nga projektligji i sapomiratuar nga qeveria Shqiptare “ Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve”: “Sot që flasim janë 22 grupe pune që punojnë për 7 Bashki kryesore dhe për të gjithë Shqipërinë, e në sezonin e verës kemi evidentuar plot 985 raste të fëmijëve në situatë rruge. 435 prej tyre të administruara tashmë, të asistuar për të dalë nga situata e rrugës. Po ashtu kemi punuar me prindërit, nga 188 raste, 98 prej tyre sot janë të punësuar. Pra, ka shumë nevojë që ky aktivitet i cili ka vetëm një qëllim: rikthimin e fëmijëvë ne bankat e shkollës, të zhvillohet jo vetëm këtë periudhë, por të jetë një punë e vazhdueshme partneriteti mes institucioneve shtetërore, bashkive dhe shoqërisë civile.” Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako deklaroi se vëmendja e Bashkisë ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë edhe më e madhe për shtresat në nevojë madje vitin tjetër Bashkia e Durrësit do të rrisë buxhetin për trajtimin e këtij fenomeni: “Bashkia e Durrësit do të vazhdojë të jetë gjithmonë në mbështetje të shtresave në nevojë. Konkretisht vitin e ardhshëm Bashkia e Durrësit do të rrisë buxhetin për çështjet sociale e po kështu edhe personelin përkatës në mënyrë që të jemi sa më pranë shtresave në nevojë dhe ti ndihmojmë ata për të patur një jetesë normale.” Në përmbyllje të aktivitetit, fëmijëve që morën pjesë në këtë kamp iu dhuruan cantat dhe të gjitha mjetet e nevojshme për fillimin e shkollës.