Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me fondacionin Fundjavë Ndryshe i cili është një fondacion bamirësie. Synimi i këtij fondacioni është tu japë ndihmë familjeve në nevojë ekstreme, ndihma në  veshmbathje, ilace, lodra për fëmijët, libra si dhe në restaurime shtëpish të kësaj shtrese të popullsisë. Kjo marrëveshje ka për qëllim bashkëpunimin ndërmjet Bashkisë së Durrësit dhe fondacionit Fundjavë Ndryshe për realizimin e projekteve me karakter social në kuadër të ndihmës për familjet në nevojë. Kryebashkiaku Dako në bashkëbisedimin me vullnetarë të këtij fondacioni pasi ka nënshkruar marrëveshjen deklaroi se Bashkia e Durrësit është vazhdimisht pranë familjeve në nevojë dhe do të vazhdojë kështu edhe në të ardhmen e në këtë kuadër Bashkia e Durrësit - theksoi Dako - mbështet cdo nismë që i vjen në ndihmë këtyre shtresave. Kryebashkiaku Dako konfirmoi bashkëpunimin e plotë të Bashkisë për misionin bamirës të këtij fondacioni si dhe ndihmesën e punonjësve socialë të Bashkisë së Durrësit që ky mision bamirës të ndihmojë sa më shumë familje në nevojë në Durrës. Në Durrës ky fondacion ka ndihmuar deri tani 150 familje në vështirësi në zona të ndryshme si në ish kënetë, Ishëm, Sukth, Rrashbull etj. Tashmë ky fondacion duke patur edhe mbështetjen e plotë të Bashkisë së Durrësit do të vijojë të ndihmojë shumë më tepër familje e njerëz në nevojë në të gjithë Bashkinë e qytetit. Fundjavë Ndryshe është një nisëm bamirësie i themeluar si Fondacion i cili operon prej 11 muajsh cdo javë pa pushim fillimisht në Tiranë dhe periferinë e saj dhe me kalimin e kohës në qytetet e tjera dhe me perspektivën për tu shtrirë në të gjithë Shqipërinë.  Nga ky fondacion janë restauruar 6 shtëpi, janë qarkulluar tonelata me ushqime bazë ku vetë vullnetarët e këtij fondacioni i kanë dërguar në familjet në nevojë si dhe mijëra njerëz janë ndërgjegjësuar duke vizituar familjet në varfëri në shoqërimin e ekipit të Fundjavë Ndryshe. Qindra të rinj dhe të reja i bashkohen cdo muaj vullnetarisht këtij misioni fisnik për të kontribuar fizikisht në ndihmë të familjeve në nevojë.