Është zhvilluar në Durrës konferenca ndërkombëtare e fondacionit humanitar “Misioni pa kufij” ku kanë marrë pjesë drejtues të degëve të këtij fondacioni nga shtete të ndryshme të botës. Në këtë konferencë ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i cili në fjalën e tij përshëndetëse ka vlerësuar maksimalisht kontributin e këtij fondacioni gjatë 20 viteve aktivitet në Durrës në ndihmë të familjeve në vështirësi në qytetin tonë: “Duke marrë parasysh gjeografine e misionit në botë ju, mund të kishit qytete të shumta për të zgjedhur dhe kjo më shton akoma më tepër mirenjohjen për t’ju falenderuar në zgjedhjen që keni bërë. Misioni që organizata juaj ka marrë përsipër kërkon një përmasë dhe një dimension tjetër; atë human. Mjaft të ndjekësh kontributin tuaj ndër vite  dhe konstaton me lehtësi  atë punë aq të lavdërueshme që shtrihet deri në çdo hallkë delikate të qytetit. Në këto mbi dy dekada punë ne Durrës dega juaj në Shqipëri është bërë strehë për familjet e varfëra në nevojë, por pikë mbështetjeje edhe për organizata, shoqata, institucione të kultit e institucione publike, duke kontribuar për të zgjidhur probleme dhe rrjedhimisht duke ndikuar ndjeshëm në probleme nga më jetësoret dhe emancipimin e transformimin e shoqërisë. Ne si bashki  kemi vendosur marrëdhënie institucionale e njerëzore dhe e kemi ndjerë nga afër edhe në situata të vështira ndihmën dhe përkrahjen e organizatës suaj. Ne vlerësojmë shumë ndihmën e vazhdueshme për komunitetin e rreth 250 familjeve në nevojë  të programit “Family to Family”,  ndihmën tuaj jo vetem për zgjidhjen e problemeve të emergjencës por edhe integrimin denjësisht në shoqeri  të këtyre familjeve. Misioni ka ndihmuar edhe me pajisje për spitalin e qytetit, shkolla, rrjetin e kopshteve e çerdheve dhe vecanërisht në situata emergjente.  Prandaj  unë jam sot këtu  për të shprehur këtë mirënjohje dhe bindjen time të thellë se ky bashkëpunim i frytshëm, aq i ndjeshëm për shtresat në nevojë të qytetit tonë, do të vazhdojë edhe në të ardhmen.” Pas fjalës përshëndetëse kryebashkiaku Dako i ka dhënë fondacionit “Misionit pa Kufij” titullin “Mirënjohja e Qytetit”, që ju dorëzua presidentit të këtij fondacioni, me motivacionin “Për shërbime të shquara në qytetin e Durrësit në ndihmë të komuniteteve dhe shtresave në nevojë dhe për kontribute të vazhdueshme në fushën e arsimit dhe shëndetësisë gjatë periudhës 1992-2016.”