"Së bashku në luftën kundër kancerit të gjirit", kjo ka qenë motoja e takimit sensibilizues që është zhvilluar në spitalin e Durrësit në kuadër të muajit të sensibilizimit kundër kancerit të gjirit. Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë dhe Spitali Rajonal Durrës kanë organizuar me gratë e këshillit bashkiak të Durrësit këtë aktivitet sensibilizues nën kujdesin personal të kryetarit të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako. Në fjalën e tij kryebashkiaku Dako tha se kanceri i gjirit është një problematikë e përhapur shumë dhe sa më i madh të jetë sensibilizimi, aq më shumë sukses do të kemi në këtë përpjekje të përbashkët. Dako shtoi se ne kemi marrë përsipër të garantojmë kryerjen e mamografisë falas për gratë që janë në skemën e familjeve me ndihmë ekonomike dhe synojmë që të sanksionojmë me ligj që të gjitha gratë që mbushin moshën e caktuar të kryejnë në mënyrë të detyruar mamografinë pasi kështu ulim rrezikun e kancerit të gjirit. Mjekë të spitalit të Durrësit kanë referuar për rastet e shfaqura dhe problematikat që hasen në lidhje me kancerin e gjirit tek gratë. Të pranishmit në këtë takim sensibilizues kanë parë nga afër mjediset e repartit onkologjik të spitalit që lidhen me kujdesin paliativ dhe kimioterapinë për personat që vuajnë nga sëmundje kanceroze. Për 6-mujorin e parë të këtij viti janë diagnostikuar 172 gra me tumor malinj të gjinjve, të cilat ndiqen nga mjeku i familjes dhe mjeku onkolog.