Është përuruar në Durrës “Qendra e shërbimeve komunitare për fëmijët me aftësi të kufizuara” e cila do të ofrojë shërbime multidisiplinare cilësore për fëmijët me aftësi të kufizuara me synim rehabilitimin dhe gjithëpërfshirjen e tyre në kopshte, shkolla dhe komunitet. Ngritja e kësaj qendre është mundësuar nga bashkëpunimi me Bashkinë e Durrësit dhe nën kujdesin e vecantë të kryebashkiakut Vangjush Dako. Modeli komunitar i shërbimeve në këtë qendër është në përputhje të plotë me politikat dhe reformën për mbrojtje sociale për personat me aftësi të kufizuara, iu përgjigjet nevojave për shërbime mbështetëse që sigurojnë aftësim dhe integrim të fëmijëve me aftësi të kufizuara, si dhe synon të sigurojë angazhim konkret të institucioneve përgjegjëse për dhënien e këtyre shërbimeve. Në ceremoninë e përurimit merrnin pjesë Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi, zv. Ministre e Arsimit dhe Sportit Nora Malaj, drejtore e Save the Children Anila Meco, përfaqësues të shërbimeve sociale qendrore dhe lokale, specialistë të fushës dhe prindër të fëmijëve me aftesi të kufizuara. Kjo qendër u ngrit dhe do të funksionojë në kuadër të projektit “Shërbime me bazë komunitare për fëmijët me aftësi të kufizuara” i cili financohet nga Fondacioni Margaret A. Cargill dhe do të zbatohet nga Save the Children në partneritet me shoqatën ‘’Ndihmoni Jetën’’, dhe në bashkëpunim me Bashkinë Durrës, Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisësi si dhe me Bashkine Vlorë. Synimi i këtij projekti është ngritja dhe vënia në funksion e dy qendrave pilot me bazë komunitare, në Durrës dhe Vlorë, që do të ofrojnë shërbime direkte, të integruara dhe falas për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre përfshirë këtu: ndërhyrje në fazë të hershme, terapi dhe trajtim individual, shërbime edukative, informuese dhe mbështetëse; aftësim i familjeve të fëmijëve me aftësi të kufizuara për të punuar me fëmijën dhe për të advokuar për gjithëpërfshirjen e fëmijëve të tyre në arsim dhe komunitet; rritje e kapaciteteve të institucioneve publike në nivel lokal për të mbështetur gjithëpërfshirjen e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara në sistemin shkollor dhe në komunitet si dhe për të alokuar burime të mjaftueshme për të mbështetur shërbimet për fëmijët me Aftësi të Kufizuara. Nga ky projekt do të përfitojnë direkt rreth 250 fëmijë me Aftësi të Kufizuara dhe 400 prindër.