Ashtu si cdo vit, në fund të muajit tetor në qytetin e Durrësit është zhvilluar Festa e Ullirit, e cila organizohet nga shoqata Durrësi në bashkëpunim me bashkinë e qytetit. Kjo festë e kthyer tashmë në traditë , ka pasur në qendër të saj nderimin dhe vlerësimin e tre personaliteteve nga fusha e kinematografisë dhe ajo e biznesit. Nënkryetari i Bashkisë së Durrësit Florian Tahiri dhe të pranishmit e tjerë kanë marrë pjesë në mbjelljen e tre fidanëve të ullirit ku kanë qenë aktorja e mirënjohur Roza Anagnosti si dhe biznesmenët Kastriot Kapllani dhe Dashamir Biçaku. Në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” është zhvilluar edhe ceremonia e rastit ku nënkryetari i Bashkisë së Durrësit Florian Tahiri i ka dorëzuar edhe titujt Fisnikëria e qytetit të Durrësit për aktoren Roza Anagnosti si dhe “Nderi i qytetit të Durrësit” për biznesmenët Kastriot Kapllani dhe Dashamir Biçaku. Artistja e Merituar Roza Anagnosti është shprehur e emocionuar për këtë vlerësim duke thënë se është titulli më i vlerësuar që ka marrë në karrierën e saj të gjatë. Pjesëmarrësit e shumtë që mbushnin sallën në këtë ceremoni kanë ndjekur më pas koncertin artistik të organizuar me këtë rast. Festa e Ullirit është një festë tradicionale e qytetit të Durrësit ku midis të tjerash nderohen edhe shumë personalitete vendas dhe të huaj që kanë kontribuar dhe kontribojnë në dobi të qytetit dhe qytetarëve të Durrësit.