Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë organizoi në këshillin Bashkiak të Durrësit, debatin publik për integrimin e  komunitetit rom dhe egjiptian. Në këtë dialog publik ishin të pranishëm ministri i mirëqënies sociale Blendi Klosi, kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, përfaqësues të komunitetit rom e egjiptian, përfaqësues të OJQ dhe institucioneve shtetërore që kanë në fokus të aktiviteteit të tyre këto shtresa etj. Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako deklaroi se Bashkia që ai drejton prej vitesh është duke investuar në infrastrukturë, në shërbimin social, në ndihmën ekonomike etj. për të përmirësuar jetesën e komunitetit rom dhe egjiptian. Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako deklaroi gjithashtu se bashkia e këtij qyteti i ka prioritet dhe do të vazhdojë përherë e më shumë ti mbështesë njerëzit në nevojë. Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi njohu përfaqësuesit e këtij komuniteti me nismat e MMSR për integrimin e tyre në shoqëri. Ministri Klosi iu ofroi mundësinë e përfshirjes së tyre, në të gjitha projektet për integrimin e komunitetit rom dhe egjiptian si bashkëhartues, për  evidentimin më mirë të nevojave më të mëdha të tyre. “Fondi Social që po ju vendoset në dispozion bashkive dhe skema e re e ndihmës ekonomike, do të jenë mundësi më të mëdha për familjet në nevojë nga komuniteti rom dhe egjiptian. Të shikojmë mundësinë e ngritjes së hartës së shërbimeve, pra ku shërbimet funksionojnë, ku i kemi të mundur t’i realizojmë dhe ku do të duhet të synojmë”, –  deklaroi ministri Klosi. Ai shtoi se në plan është trajtuar edhe zgjidhja e problemit të papunësisë, nxitja e arsimimit dhe kryesisht atij profesional. Ministri Blendi Klosi e vuri sërish theksin te situata e fëmijëve të rrugës. “107 milionë lekë janë alokuar nga Ministria e Zhvillimit Urban për rikonstruksionin e banesave rome dhe egjiptiane në 10 bashki”, tha Blendi Klosi.