Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në përurimin e mjediseve të reja të kopshtit “Met Hasa” i cili tashmë do të shërbejë si qendër komunitare. Ky kopsht, pas përfundimit të rehabilitimit të të gjitha mjediseve të jashtme me lulishte, kënde lojërash, përveç 150 fëmijëve qe ndjekin procesin mësimor në të, do të mirëpresë edhe fëmijët e komunitetit gjatë orëve të pasdites për t’u argëtuar në këto mjedise, nga sot moderne. Në ceremoninë e rastit kryebashkiaku Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit do të vazhdojë me ritme të larta ndërtimet e kopshteve, çerdheve dhe shkollave të reja si dhe rikonstruksionin e atyre ekzistuese për të krijuar mjedise sa më moderne për fëmijët e nxënësit. Një ndër synimet tona parësore, tha në fjalën e rastit kryebashkiaku Dako është kthimi i mjediseve të arsimit parauniversitar në qendra komunitare. Në këtë ceremoni përshëndetën edhe drejtoresha e kopshtit “Met Hasa” Ardiana Gurra si dhe administratorja e “Shendi Dent” Olesia Duka e drejtuesja e shoqatës “Vizion OJF” Suela Koçibellinj, që e vunë theksin në bashkëpunimin e mëtejshëm publik e privat që në të tilla raste i sjell shërbime komunitetit. Rehabilitimi i këtyre  mjediseve u bë i mundur nga Bashkia e Durrësit në bashkëpunim me shoqaten “Vizion OJF” dhe “Shendi Dent” e cila u përkujdes që, këtë fundvit, t’i ofronte fëmijëve të këtij kopshti dhurata si dhe një ceremoni festive për ta në mjediset e bar “Portiku”.