Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në dorëzimin e lejeve të legalizimit për objektet e kultit të kishës katolike dhe ortodokse që janë ndërtuar në territoret e bashkisë Durrës dhe Sukth. Bëhet fjalë për 20 objekte në total, 10 nga të cilat janë pronë e kishës katolike dhe 10 e kishës ortodokse. Kryebashkiaku Vangjush Dako i ka dorëzuar lejen e legalizimit përfaqësuesve të kishës së Shën Dominikut në Durrës. Ai u shpreh se sot po dorëzojmë lejen e legalizimit për këtë objekt, i cili është ndërtuar në vitin 2000 me leje ndërtimi dhe më vonë ka bërë disa shtesa.  Ky objekt i shërben një komuniteti të gjerë në Durrës dhe ne krenohemi me këtë objekt, pasi ai ka një fasadë të bukur dhe është  ndërtuar në një zonë të rëndësshme të qytetit. Me këtë rast dua që ti uroj përfaqësuesve të kësaj kishe dhe besimtarëve të saj Gëzuar Festat e Krishtlindjes dhe Vitin e Ri. Pas kësaj ceremonie së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Aluiznit Artan Lame dhe minsitren e zhvillimit urban Eglantina Gjermeni, kryebashkiaku Dako ka marrë pjesë në dorëzimin e 10 lejeve të legalizimit për kishën ortodokse. Në manastirin e Shën Vlashi janë pajisur me leje disa objekte të ndërtuara gjatë viteve të fundit si akademia teologjike, jetimorja si dhe objekte të tjera me social kulturor.