Është përkujtuar në Durrës 79 vjetori i rezistencës ndaj pushtimit Italian. Në ceremoni merrnin pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, kreu i qarkut Alfred Mullaraj, prefekti Roland Nasto, deputetët Klodiana Spahiu dhe Rolant Xhelilaj, veteranë dhe shumë qytetarë durrsakë të cilët kanë bërë homazhe pranë bustit të Mujo Ulqinakut, ku kanë vendosur edhe kurora me lule. Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako u shpreh se Shqipëria ishte një vend i pasur me gra e burra idealistë dhe ata ishin krismat e para antifashiste në Evropë, ndërkohë që e gjitha bota rrezikohej nga fashizmi. Sipas kryebashkiakut Dako kjo datë shënon edhe aktin më madhor e patriotik në emër të lirisë, të asaj lirie që u arrit me gjak e sakrifica nga ata bij e bija që, duke bërë detyrën ndaj atdheut, ngritën lart dinjitetin kombëtar, ruajtën pavarësinë e tij dhe e rreshtuan Shqipërinë përkrah aleancës antifashiste. Fjalën e rastit në këtë ceremoni përkujtimore e mbajti drejtori i arsimit, kulturës, rinisë, sporteve dhe komuniteteve fetare në Bashkinë e Durrësit Adrian Gurra i cili deklaroi: “Historia shenjohet përmes datash që nguliten në rrjedhë të kohërave për të mirë a për të keq.Ka data që në ndërrim të brezave ndryshojnë dhe vlerësim. Ka data që nuk ndryshojnë kahje kurrë. I tillë është 7prilli, 7 prilli i vitit 1939, një datë e zezë për Shqipërinë e për Europën: vendi i vetëm në kontinent që u pushtua para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore. Ishte hera e parë që Shqipërisë, shtetit më të ri në Europë, i shpallej zyrtarisht luftë dhe akti i gjendjes së luftës përmbyllej me pushtim. Fati i Shqipërisë paralajmëroi fatin e kontinentit. Rendi botëror i vendosur në Paqen e Versajës kishte dështuar. Kjo paqe rezultoi mē afatshkurtra në histori. Shqipëria u pushtua brenda dy ditësh, por denjësia e saj nuk mbeti pa zot. Atdhetarët shqiptarë, me uniformë e pa uniformë, nën armë e vullnetarë, me komandë e pa komandë, bënë rezistencën e parë dhe i treguan botës se cili ishte vullneti i këtij populli. Ky shesh ku jemi mbledhur është dëshmitar i një prej qendresave më të hershme antifashiste në botë. Dhe ky fakt është në nderin e këtij vendi. Mbi antifashizmin është ngritur morali politik botëror i gati 80 vjetëve dhe këto themele mbeten të patundura për sot e për mot. Fati i Europës së re është i pandashëm prej antifashizmit. Prandaj 7 prilli është dhe një datë prove e krenarie, sepse në këtë vend antifashizmi e manifestua disa vite para se të themelohej Karta e Antifashizmit, Karta e Atlantikut, Karta e Aleancës së Madhe. Ky shesh ka parë shumë e ka dëgjuar shumë. Që nga zbarkimi i ushtrive të Pompeut deri në luftën antifashiste, mbi 60 ushtri të huaja kanë provuar të hyjnë nga kjo portë. Pushtimet kanë qenë kalimtare, ushtritë po ashtu, kurse populli jetoi e mbijetoi. Historia e Shqipërisë merr kuptim e mburrje jo nga numri i ushtrive që e kanë rrezikuar, por nga fuqia e mbijetesës. Prandaj ne në këtë ditë i drejtojmë nderimin tonë jo vetëm atij brezi që kundërshtoi pushtimin e huaj, jo vetëm atyre brezave që kanë qenë mburoja e fateve të popullit, por bashkë me ta edhe atyre mijëra e mijëra shqiptarëve padrejtësisht anonimë, që ndërtuan paqen dhe rendin shoqëror, atyre që e kanë lënë gjurmën historike të vetes në trashëgiminë materiale e jomateriale shqiptare, në pamjen e dukshme e të padukshme të qytetit tonë e të gjithë Shqipërisë. Ne e kemi për detyrë të qendrojmë besnikë në parimin e antifashizmit, që është zgjedhja e shekullit. Kjo na impenjon të nderojmë ju, që jeni dëshmitarët e asaj epoke; të lartësojmë shenjat e kujtesës, të historizojmë të shkuarën duke e shprehur në përmendore. Historia është e prirur ta fshehë vetveten. Ne kemi nevojë ta dekriptojmë brendinë e saj. Ne na duhet të dëshmojmë para së ardhmes ato që dimë për të shkuarën e afërt e të largët. Harresa e një brezi, indiferenca e një kohe, mund të ketë pasoja në vlerësimin dhe autostimën e një populli. Ne nuk kemi luks të lëmë në dorë të rastësisë çfarë të kujtojmë e çfarë t'ia lëmë harrimit. Na duhet kujtesa historike jo për ta kthyer në një institucion lavdie e vetëmburrjeje. Ajo për ne nuk është qëllim në vetvete. Ndryshe do ta kthenim kujtesën në një mur që ndan të ardhmen nga e shkuara. Kush sheh prapa, shkon prapa, thoshin filozofët antikë. Ne duam të ndërlidhim kohët duke i kthyer shenjat e kujtesës në vija që shohin nga e ardhmja. Sot është dita që të kujtojmë se qendresa shqiptare e 7 prillit, antifashizmi i këtij populli, e fituan vlerën e tyre kombëtare e ndërkombëtare qysh se Shqipëria u shpall fuqi aleate fitimtare. Por edhe të kuptojmë se e sotmja dhe e ardhmja europiane nuk do të mund të mendoheshin nëse Shqipëria do të ishte gjendur në një krah tjetër.Vlera më e madhe e antifashizmit në Shqipëri është pikërisht në faktin që shërben e do të shërbejë si themel i një të ardhmeje që e duam të gjithë. Le të bashkojmë sot, në këtë ditë nostalgjie për brezin e protagonizmit antifashist, vetëdijen tonë kritike për të shkuarën, zotësinë e reflektimit historik, qytetarinë dhe vlerat tona të lartësimit dinjitar të vetvetes në luftë e në paqe, në shtetbërje e shtetmbrojtje, në promovimin e kodit të identitetit shqiptar dhe në europianizimin e mënyrës së të menduarit, të jetuarit, të qeverisurit, të modelimit të shtetit të së drejtës.” Mujo Ulqinaku dhe të gjithë patriotët e tjerë nga Durrësi por edhe nga qytete të tjera ishin të parët që e pritën me pushkë pushtuesin italian dhe në këtë luftë ra hero Ulqinaku por edhe dëshmorë të tjerë. Në rezistencën kundër nazifashistëve u bashkuan në mënyrë masive banorët durrsakë dhe patriotë të ardhur nga çdo anë e vendit. Në këtë ceremoni u shpreh respekti dhe mirënjohja për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë dhe që sakrifikuan deri edhe jetën e tyre për lirinë e vendit.