Në Durrës është mbajtur Forumi Qytetar për Sigurinë Publike, formati i llogaridhënies së Policisë së Shtetit përballë qytetarëve. Në takimin e organizuar në Amfiteatrin e Durrësit morën pjesë Ministri i Brendshëm Xhafaj, kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, drejtues të policisë, kryetarët e njësive vendore, deputetë, përfaqësues të komuniteteve fetare e qindra banorë. Ministri Fatmir Xhafaj, ka çuar një mesazh të fortë në drejtim të grupeve kriminale, duke thënë se jo vetëm do të arrestohen, por do iu sekuestrohen edhe pasuritë. “Ne do t’i godasim ato jo nga pikëpamja fizike, por nga pikëpamja e ligjit. Krahas ndëshkimit, jemi të fokusuar edhe te hetimi dhe goditja e aseteve kriminale të tyre, sepse jo vetëm që ata do të bëjnë burg, por edhe pasuria e tyre nuk do të jetë më pronë e tyre, por do të kthehet në shërbim të qytetarëve”, deklaroi ministri i Brendshëm. Xhafaj theksoi se shteti tashmë e di kush janë grupet kriminale, por është me rëndësi që të sigurohen provat konform ligjit për t’i goditur. “Nga momenti i indetifikimit deri tek momenti i të provuarit dhe pastaj të shndërrimit të saj në provë për efekt hetimi dhe gjykimi është një proces që mund të zgjasë me muaj, por edhe me vite. Sepse pavarësisht se mund të jemi në dijeni të përbërjes së tyre, po aq e rëndësishme është edhe sigurimi i provave të nevojshme konform ligjit, sepse flasim për një procedurë ligjore. Ne sot jemi në gjendje të dimë se cilat janë grupet kriminale, kush është aktiviteti i tyre, çfarë fuqie posedojnë  dhe jemi në një veprimtari aktive  policore për ti vënë përpara përgjegjësisë penale”, u shpreh Xhafaj. Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj në Forum deklaroi midis të tjerash se qeveria ka miratuar një plan masash, një plan veprimi për luftën kundër krimit të organizuar duke mbështetur një operacion, të quajtur Operacioni “Forca e Ligjit”, i dedikuar, i fokusuar në luftën kundër grupeve të strukturuara kriminale: “Dhe në kontekstin e këtij operacioni, strukturat e ngritura për ta realizuar këtë, Task Forcat Qendrore pranë Policisë së Shtetit dhe Task Forcat Rajonale pranë Drejtorive Vendore të policisë, si hap të parë të tyre kanë bërë skanimin e të gjithë grupeve kriminale, drejtuesve të tyre dhe tashmë, të pasurisë që posedojnë këto grupe kriminale, pasuri e krijuar nga aktiviteti kriminal. Ajo që është shumë interesante dhe që dua ta bëjë fort mirë të qartë, është fakti që krahas ndëshkimit ligjor për veprimtarinë kriminale ne jemi fort të fokusuar edhe te hetimi dhe goditja e aseteve kriminale të tyre. Kjo është shumë e rëndësishme që të gjithë ata të kuptojnë që është e vërtetë që mund të bëjnë disa muaj dhe disa vite burg, por fuqia e tyre ekonomike, pasuria e vendosur për shkak të kësaj veprimtarie kriminale nuk do të jetë më pronë e tyre, por do të kthehet në shërbim të qytetarëve.