Delegacioni i Bashkisë Durrës, i kryesuar nga nënkryetari i Bashkisë Zhulien Varfaj, mori pjesë në edicionin e pestë të festivalit “Tipicità in Blu”, që u zhvillua në qytet-portin e Ankonës (Ancona), në Itali, më datë 17-19 Maj 2018. Festivali “Tipicità in Blu” është organizuar nga Bashkia e Ankonës (Commune di Ancona), në bashkëpunim me Rajonin Marke (Regione Marche), Dhomën e Tregtisë së Ankonës (Camera di Commercio di Ancona) si dhe me mbështetjen e Forumit të Vendeve të Adriatikut dhe Jonit (Forum of Adriatic and Ionian Cities/FAIC).

Ky festival synon të forcojë shkëmbimet ekonomike dhe kulturore, si dhe bashkëpunimin brenda makro-rajonit të Adriatikut dhe Jonit. Ky event i dedikohet gastronomisë si dhe ekonomisë së detit (ose siç njihet ndryshe ekonomisë blu), me fokus të veçantë në botën e peshkimit si dhe shkëmbimet ekonomike-kulturore, në kuadër të vitit evropian të trashëgimisë kulturore. Ndaj, kjo iniciativë ishte një mundësi inovative për qytetin e Durrësit, me qëllim promovimin e produkteve të turizmit lokal, si agroturizmi, peshkimi, gastronomia, trashëgimia kulturore etj.

Në vitin evropian të trashëgimisë kulturore, festivali “Tipicità in Blu” pranon sfidën dhe përballet me identitete të tjera nga zona e Mesdheut. Kështu, në këtë edicion, Shqipëria ishte e ftuara e nderit, me përfaqësues jo vetëm nga Bashkia e Durrësit (e cila është edhe anëtare e Forumit të Qyteteve të Adriatikut dhe Jonit - FAIC), por me përfaqësues edhe nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës (kryesuar nga kryetari i Dhomës. Andrea Xhavara) si dhe nga shefi i kuzhinës tradicionale shqiptare, Alfred Marku.

Pritja e delegacionit shqiptar ishte i organizuar në tre ditë (17 – 19 Maj 2018). Kështu, dita e parë e pritjes së dekagacionit, filloi me takimin formal me përfaqësuesit institucionalë të Bashkisë së Ankonës dhe Dhomës së Tregtisë së Ankonës. Gjatë këtij takimi, nënkryetari i Bashkisë së Ankonës Pierpaolo Sediari dhe nënkryetari i Bashkisë së Durrësit, Zhulien Varfaj, diskutuan mbi planet dhe strategjitë e përgjithshme të zhvillimit ekonomik të territoreve të bashkive përkatëse si edhe mbi shkëmbimin dhe bashkëpunimin midis dy vendeve dhe qyteteve të lidhura me të njëjtin det. Gjithashtu, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Xhavara u ndal më së shumti në rolin e biznesit, si aktorë të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik në qytet.

Ndërsa ditën e dytë, delagacioni zhvilloi një takim me përfaqësuesit e shoqatës së peshkimit në Ankona: Grupi i Veprimit Lokal të Peshkimit (Fishing Local Action Group-FLAG) si edhe me përfaqësues të Institutit ISMAR-CNR të Shkencave Detare - Këshilli Kombëtar i Shkencës. Ky takim u zhvillua në auditorin Foyer of Mole Vanvitelli. Gjatë këtij takimi, u diskutua mbi rolin e autoriteteve publike në lidhje me politikat e peshkimit si dhe mbi ndikim e kërkimit shkencor në zhvillimin e sektorit të peshkimit. Për më tëpër, nënkryetari i Bashkisë Durrës, Varfaj dhe kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Xhavara, diskutuan mbi rëndësinë e sektorit të peshkimit në qytet-portin e Durrësit, duke u ndalur më së shumti në aspektet ligjore dhe administrative të sektorit të peshkimit. Më pas, delegacioni shqiptar zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Autoritetit të Porteve Qendrore të Adriatikut, në Selinë e Portit të Ankonës. Gjatë këtij takimi nga të dyja palët pjesëmarrëse u diskutua mbi rritjen e bashkëpunimit midis dy porteve, duke u ndakur në aspektet e tregtisë dhe logjistikës në portet e të njëjtit pellg (basen) detar. Dita e dytë kulmoi me Mbremjen Gala, gjatë së cilës u zhvillua edhe një krahasim midis gatimeve (pjatave) të bëra me njëjtët përbërës, por të gatuara në dy mënyra të ndryshme, nga kuzhinieri shqiptar Alfred Marku dhe kuzhinier italian Fabio Romagnoli. Pas gatimeve speciale, nënkryetarët e Bashkisë së Ankonës dhe të Bashkisë së Durrësit, nderuan më një dhuratë simbolike të dy kuzhinierët e mbrëmjes. Në këtë darkë, ishte e pranishme edhe Ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Znj. Anila Bitri, e cila mbajti fjalën e saj përshëndetëse, duke u fokusuar në forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve dypalëshe midis dy shteteve.

Dita e fundit e pritjes së delegacionit shqiptar, u mbyll me konferencën për shtyp, me përfaqësues nga shtypi kombëtar italian. Në këtë konferencë Varfaj, mbajti fjalën e tij përshëndetëse duke e vënë theksin në urat e bashkëpunimit të mëtejshëm ndërmjet dy vendeve që lidhen me të njëjtin det. Kjo konferencë u mbajt në bordin e tragetit AF Michela - Adria Ferries Company.