Në kuadër të nismës së Bashkisë Durrës, për realizimin e Dëgjesave Publike për PBA 2019-2021, në Njësinë Administrative Manëz,  u organizuan Dëgjesat Publike për tre njësitë Manëz, Ishëm dhe Sukth. Një nga Dëgjesat Publike ishte për Paketën Fiskale që Bashkia ka parashikuar të zbatojë për periudhën 2019-2021. Ndërsa, dy Dëgjesat e tjera kishin si qëllim prezantimin e investimeve, projekteve dhe shërbimeve kryesore që Bashkia ka parashikuar të zbatojë për periudhën 2019-2021 për Programin “Infrastruktura rrugore” dhe Programin “Investimet në Arsim për sistemin parashkollor, Arsimin 9-vjecar si dhe atë të Mesëm” për komunitetin e Njësive Administrative Manëz, Sukth dhe Ishëm duke mirëpritur çdo propozim, sugjerim apo rekomandimin nga ana e tyre.

Dëgjesat Publike u organizuan nga Drejtoria e Politikave te Zhvillimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve dhe Punëve Publike, Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore si dhe me Drejtorinë e Arsim-Kulturë, Rini, Sporte dhe Komunitete Fetare. Në këto takime kishte një pjesëmarrje të gjërë, ku ishin të pranishëm përfaqësues nga të gjitha fshatrat e Njësive Administrative Manëz, Sukth dhe Ishëm, përfaqësues të grupeve të interesit, Institucioneve Arsimore, Shëndetsore etj. OJF që operojnë në këto Njësi Administrative, grupet këshillimore dhe Komisionet e Këshillit Bashkiak.

Gjatë Dëgjesës Publike, në pjesën e parë, pjesëmarrësit janë informuar nga z. Luan Dajko, Drejtor i Taksave dhe Tarifave Vendore, mbi strukturën e Paketës Fiskale për periudhën 2019 – 2021 dhe rëndësinë e pagesës së taksave dhe tarifave vendore në funksion të ofrimit të shërbimeve më të mira në të gjithë territorin e Bashkisë Durrës.

Ndërsa, në Dëgjesën e dytë, pjesëmarrësit janë njohur nga z. Adnand Tocila, Përgjegjës në zyrën e Projektimit në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, lidhur me projektet dhe investimet kryesore në infrastrukturën rrugore për vitet 2019-2021 në përputhje me Programin “Infrastruktura rrugore”. 

Së fundmi, në Dëgjesën e tretë, znj. Nikoleta Rusha, Përgjegjëse e Sektorit të Arsimit në Drejtorinë e Arsim-Kulturë-Rini-Sporte dhe Komunitete Fetare, bëri prezantimin e investimeve, projekteve dhe shërbimeve kryesore që Bashkia ka parashikuar të zbatojë për Programin “Arsimi parashkollor dhe parauniversitar”, për periudhën 2019-2021.